Shqipëri: Shkelje e rregullave të qarkullimit, arrestohen 33 persona

Gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit rajonal të Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, 33 persona, konkretisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, për largim nga vendi i aksidentit apo për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve parandaluese, janë goditur 14 raste të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të mjetit apo pa vendosur rripin e sigurimit, 14 drejtues mjetesh të cilët për t’i shpëtuar masës administrative kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar shuma lekësh. Gjithashtu është goditur dhe një rast falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, bën të ditur Policia.

Gjithsej, sipas Policisë së Shtetit, janë pezulluar 249 leje drejtimi, nga të cilat 48 leje për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 186 për shpejtësi, dhe 15 leje për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Po ashtu, janë tërhequr 19 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çrregjistruara në vendet e origjinës si dhe janë bllokuar 26 mjete, për mungesë dokumentacioni.

“Janë vendosur 6852 masa administrative, me një mesatare 977 masa të vendosura në ditë, konkretisht, 125 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, 65 masa për mosrregullim të shpejtësisë/gara shpejtësie, 326 masa për parakalime të gabuara, 1146 masa për përdorim të aparatit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 418 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 132 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 2982 masa për qëndrim/pushim të gabuar të mjetit, 46 masa administrative për mungesë siguracioni dhe 1612 masa për shkelje të ndryshme”, bëri të ditur Policia.

ata

Aktualitet

Archives