Shqipëri- Kosovë, marrëveshje për bashkëfinancimin e “Enciklopedia shqiptare”

Kryeministri Edi Rama në takimin e dy qeverive sot në Prishtinë ka folur për marrëveshjen e bashkëpunimit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në fushën e albanologjisë: “Enciklopedia Shqiptare.”

Kryeministri Rama theksoi se, “kjo është rezultat i punës së përbashkët të dy qeverive. Zbatim i angazhimit që morëm së bashku në takimin e shtatorit në Prishtinë me të dyja akademitë që nisi punën konkretisht me financim të dy qeverive për “Enciklopedinë Shqiptare”, projekti madhor albanologjik i shumëpritur, i shumëmunguar, që merr udhë si një vullnet i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i qeverisë tonë”.

Kryeministri Rama deklaroi edhe unifikimin e abetares.

Marrëveshja mes dy qeverive është bërë në funksion të realizimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës për hartimin e projektit madhor “Enciklopedia Shqiptare”.

Ky projekt përfshin të gjitha proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes deri tek shtypshkrimi. Sipas marrëveshjes, janë të ftuara për bashkëpunim edhe institucione jopublike e studiues të pavarur në vendet e tyre dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe bota arbëreshe.

“Enciklopedia Shqiptare” hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqe për vëllim.

Projekti madhor “Enciklopedia Shqiptare” zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, puna për të cilin do të fillojë më 1 janar 2023. ata

Aktualitet

Archives