Shqipëri, konferencë për luftën kundër krimit të organizuar

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Prokurorinë Italiane të Antimafias organizoi sot në Tiranë konferencën me temë “Mjetet në luftën kundër krimit të organizuar: Masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve në eksperiencën italiane”, e cila ka mbledhur zyrtarë të lartë dhe ekspertë nga të dy vendet, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj në konferencë, ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, tha se aktiviteti përkon me një moment të rëndësishëm, sipas saj, me luftën që po zhvillon Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe masave konkrete që po ndërmerren. 

“Pikërisht përkon me masat që kemi marrë për të rritur sigurinë në sistemin e burgjeve në përgjithësi dhe kryesisht për anëtarët e grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit që ndodhen në institucionet tona penitenciare. Italia si vend fqinj, por edhe të gjitha vendet e tjera të BE-së kanë qenë të pranishme në çdo iniciativë të marrë nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh Gjonaj. 

Sipas saj lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i Qeverisë së Shqipërisë. Duke folur për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, Gjonaj theksoi se do të krijojnë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta të politikës dhe administratës publike. 

“Në fokusin tonë do të jetë bashkëpunimi me vendet e tjera për hetimin përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme përmes shkëmbimit reciprok të informacionit, i cili ka dhënë rezultate të mira dhe konkrete, veçanërisht me palën italiane”, tha Gjonaj. 

Ndërsa prokurori i kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Itali, Federico Cafiero De Raho, tha se dy janë formulat efikase për goditjen e krimit dhe korrupsionit, sipas tij, ndjekja e parasë dhe ndalimi i kontakteve midis të burgosurve dhe anëtarëve që janë jashtë burgut. 

“Kriminaliteti shqiptar sikurse është e ditur është i specializuar në trafikun e lëndëve narkotike. Këtë e konfirmojnë hetimet e shumta që janë duke u zhvilluar jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera evropiane”, u shpreh De Raho. 

Ai duke folur për bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë tha se Drejtoria Kombëtare e Antimafias dhe Antiterrorizmit në Itali është e gatshme që të mbështesë një bashkëpunim të plotë. 

“Jemi të gatshëm për të ofruar çdo mbështetje të mundshme, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit historik që Shqipëria është duke përjetuar. Një e ardhme në Evropë është një e ardhme që ndërtohet edhe nëpërmjet një lufte të pareshtur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha De Raho. 

Në aktivitet, ekspertët italianë të antimafias parashtruan përvojën e tyre në luftën kundër krimit të organizuar. 

Aktualitet

Archives