Shqipëri, dhjetëra të arrestuar për falsifikimin e dokumenteve

Gjatë një operacioni policor në Shqipëri janë arrestuar dhjetëra persona të akuzuar për disa vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve për të mundësuar udhëtimin e shtetasve të ndryshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë operacionit të realizuar në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese vendase e të huaja janë arrestuar 32 shtetas shqiptarë, mes tyre 1 punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë. 

Në një deklaratë zyrtare Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ka konfirmuar se operacioni i koduar “Rruga e gabuar”, është zhvilluar në disa qytete të vendit, si në Tiranë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan dhe Korçë. 

Sipas policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e BE-së, si dhe atyre shtetasve që iu ishte ndaluar hyrja në një nga vendet e hapësirës Shengen. 

“Anëtarët e këtij grupi kriminal, pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund deri në 20 mijë euro. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia”, thuhet në deklaratë. 

Ndërkohë policia ka zbuluar dhe sekuestruar 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve. 

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”.

Aktualitet

Archives