Meta: Të anulohet projekti i “Unazës së Madhe”

Presidenti Ilir Meta kërkoi sot anulimin e projektit për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”.

Në qëndrimin e tij për zgjidhjen e kësaj çështje, Presidenti thekson se “në vlerësim të gjendjes së paligjshmërisë ekstreme të konstatuar nga keqfunksionimi i institucioneve të administratës shtetërore dhe të situatës së krijuar, kjo çështje mund dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ARRSH, sipas Metës, duhet të ndërpresin dhe të anulojnë menjëherë çdo procedurë prokurimi që po realizohet, bazuar në projektin ekzistues me qëllim ruajtjen e financave publike dhe shmangien e çdo pasoje negative për interesin publik dhe cënimin e të drejtave të pronësisë së qytetarëve.

“Skualifikimi i operatorëve ekonomikë nga gara e dytë e hapur nga ARRSH, nuk e zgjidh çështjen, por krijon premisë që nëpërmjet procedurave administrative dhe gjyqësore të ankimit ky projekt i deformuar të marrë rrugë me pasoja ekonomike për buxhetin e shtetit”, nënvizon Presidenti.

“Të pezullohet menjëherë çdo procedurë shpronësimi për interes publik e cila ka nisur me kërkesë të ARRSH-së, bazuar në projektin ekzistues”, shprehet Presidenti. ata

Po ashtu, Presidenti shprehet se pas anulimit të plotë të projektit ekzistues të nisin procedurat me garë të hapur për të realizuar një projekt të ri, i cili do të duhet të ofrojë zgjidhjen më të mirë teknike për zhvillimin urban të Tiranës, në konsultim publik me banorët.

“Tirana ka nevojë për ndërtimin dhe funksionimin e “Unazës së Madhe”, por ajo duhet të realizohet duke respektuar të drejtat themelore të qytetarëve, për një zgjidhje të drejtë dhe duke shfrytëzuar në mënyrë efiçente buxhetin e shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me transparencën e plotë që realizimi i këtij projekti kërkon”, tha Presidenti. 

Aktualitet

Archives