Shqipëri – Ceremoni përkujtimore me rastin e dyvjetorit të 15 Korrikut

Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria turke e Rinisë dhe Sportit dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e dyvjetorit të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO…

Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria e Rinisë dhe Sportit të Republikës së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste gyleniste (FETO).

Siç bën të ditur Agjencia Anadolli (AA), pjesë e ceremonisë së organizuar në Tiranë ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë, Sonila Qato, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje për nder të dëshmorëve të 15 Korrikut dhe pas himneve kombëtare të Turqisë e Shqipërisë u shfaqën video gjatë momenteve të tentativës për grusht shteti.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, në fjalën e tij në ceremoni tha se tentativa për grusht shteti e FETO-s ishte sulmi më i rëndë kundër rendit kushtetues demokratik, të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve turq dhe sigurisë kombëtare.

“Ky sulm i çmendur i FETO-s ishte ndoshta sulmi më i rëndë kundër rendit tonë kushtetues demokratik, të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve tanë dhe sigurisë sonë kombëtare. Gjatë kësaj tentative për grusht shteti, nga bombat e rënda të hedhura nga avionët dhe helikopterët u sulmuan krahas Kompleksit Presidencial dhe Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, edhe Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare, Drejtoria e Policisë së Ankarasë, Qendra e Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, u shpreh ambasadori.

“Gjatë kësaj tentative për grusht shteti, e cila kishte vënë në shënjestër vullnetin, unitetin, tërësinë dhe demokracinë e vendit tonë, miliona shtetas u bashkuan si një trup i vetëm me thirrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan”, deklaroi ai duke shtuar se “atë natë, i gjithë popullit turk, pa dallime politike, gra, të rinj e të moshuar, brenda disa minutave u derdhën nëpër sheshe pa marrë parasysh jetën e tyre, për ruajtjen e demokracisë, republikës, shtetit, flamurit dhe për të mos heshtur ezanët”.

“Me këtë rast, i lutem Zotit që të prehen në paqe të gjithë dëshmorët tanë të rënë gjatë tentativës për grusht shteti të 15 Korrikut dhe u uroj shëndet e mbarësi të gjithë veteranëve të asaj ngjarjeje”, u shpreh diplomati turk.

“Karakteristikat tipike të kësaj organizate janë pastrimi i parave, shpifjet, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, evazioni fiskal, konspiracioni, mbyllja në vetvete, prodhimi i fakteve false në labirintin e obskurantizmit, organizimi në celula dhe shplarja e trurit. Organizata është e shkrirë me krimin. Kështu, pjesëtarë të FETO-s të arratisur drejt Shqipërisë pas 15 Korrikut, janë kapur në Shqipëri me karta identiteti dhe pasaporta false”, shtoi ambasadori turk.

Duke folur për elementët e organizatës terroriste FETO në Shqipëri, ambasadori Yoruk u shpreh me këto fjalë: “Pastrimi i kësaj organizate nga Shqipëria para së gjithash është në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kur ne themi se kjo organizatë duhet asgjësuar plotësisht në këtë vend, duam që ajo që na ndodhi neve në sytë e të gjithë botës të mos u ndodhë edhe vëllezërve tanë shqiptarë. Sepse organizata është e njëjta organizatë. Funksionimi i saj është i njëjtë me atë në Turqi ose në vendet e tjera të Ballkanit.”

Ndërkaq, në kuadër të programit “Heronjtë mes nesh”, të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu veteranët Abdullah Irgin, Erdogan Demir dhe Mehmet Tahir Ikiler, të cilët ndanë me të pranishmit eksperiencën dhe kujtimet e tyre gjatë tentativës për grusht shteti.

Të pranishëm në cermoni ishin po ashtu të afërm të dëshmorëve të 15 Korrikut, mes tyre spikasin Nihal Olçok, bashkëshortja e dëshmorit Erol Olçok dhe nëna e dëshmorit Abdullah Tayyip Olçok.

Kujtojmë se më 15 Korrik shënohet përvjetori i dytë i tentativës për grusht shteti në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO, e cila martirizoi 251 policë, ushtarakë e civilë dhe plagosi më shumë se 2000 të tjerë.

Me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar”, organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.  TRT

Aktualitet

Archives