Shkupi proteston kundër diskriminimit dhe standardeve të dyfishta

Me rastin e katër vjetorit të përleshjes së armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, Shoqata e të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizoi protestë për të shprehur revoltën ndaj asaj që ata e konsiderojnë “proces i montuar politikisht”, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra protestues u grumbulluan në sheshin “Skënderbeu” në Shkup nën moton “Stop diskriminimit dhe standardeve të dyfishta”.

Shpëtim Pollozhani, anëtar i Këshillit të familjarëve të të burgosurve politik shqiptarë, tha se nuk janë grumbulluar nga dëshira, por nga dhimbja që ndjejnë familjarët për të afërmit e tyre të burgosur.

“Këto pjesëtarë që janë të dënuar për vepra me emërtime të ndryshme, por që motivin e kanë pasur politik, ne kërkojmë që këta njerëz të trajtohen si të burgosur politik”, tha Pollozhani.

Revoltën kundër gjykatësve dhe sistemit gjyqësor, protestuesit e shprehën edhe para Gjykatës Penale të Shkupit. Përpos për rastin e Kumanovës, protestuesit shprehën pakënaqësinë edhe vendime të tjera gjyqësore, andaj kërkuan zbatim të procesit të vetingut në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë së shtetit. Gjatë përleshjeve u vranë 8 policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, po ashtu u vranë edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Në procesin gjyqësor që pasoi për anëtarët e grupit të armatosur, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.

Të dënuarit u akuzuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”. Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shtetas nga Maqedonia e Veriut.

Aktualitet

Archives