Shkarkimi i presidentit Meta/ Komisioni hetimor miraton raportin përfundimtar

Shkeljet e kryera nga Presidenti Ilir Meta, në formën e veprimeve apo mosveprimeve nuk konsiderohen të mjaftueshme për të propozuar shkarkimin e Presidentit në seancë plenare.

Ky është konkluzioni i arritur në raportin përfundimtar të miratuar këtë të hënë nga Komisioni Hetimor “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.

Gjatë punës së zhvilluar në Komisionin hetimor sot, deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino tha se Komisioni duhet të votojë pro ose kundër objektit të punës së Komisionit, pra shkarkimit ose jo të Presidentit.

“Lexova me vëmendje raportin. Kanë qenë dy nene të cilat na nxitën të merrnim nismën për të ngritur këtë komision hetimor. Në atë raport bindëm jo vetëm veten, por dhe qytetarët se Presidenti ka kryer shkelje kushtetuese”, – tha Fino.

“S’ka nen që na jep për detyrë të ngremë komision hetimor për t’i vendosur notë në sjellje Presidentit. Më shumë i vini vërdallë çështjes sikur po japim një opinion për një projektligj të zakonshëm. Përfytyroni si do të ishte Shqipëria nëse vendi nuk do të kishte zhvilluar zgjedhje lokale, shikoni Shkodrën, një kryetar bashkie votohet për 4 vite dhe sot ne kemi kryetarë bashkie që vijojnë mandatin për shkak të mosdekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti. Nuk e di sa do të vazhdojë, këtë e dini ju, që thoni se shkelja nuk është aq e rëndë për ta shkarkuar”, – tha Fino.

“Ju më thoni se duhet bërë një ligj organik për Presidentin. Jo për presidentin emër mbiemër, por institucionin. Presidenti na tha grup kriminal. Sot nuk mund të përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti. Prandaj ju ftoj që të reflektojmë përpara se çështja të votohet në seancë. Ne kemi dy opsione ose pro ose kundër, por jo rezoluta. Me gjithë këto që janë bërë këtu besoj që njollosim veten tonë”, – shtoi Fino.

“Duhet të jemi serioz, o të votojmë pro ose kundër objektit të këtij komisioni, nuk kemi pse të merremi me debate të tjera. Objekti është shkarkimi i Presidentit Ilir Meta, jo për të mbyllur punët e këtij komisioni për t’i vendosur notë në sjellje. Ne duhet të reflektojmë dhe të mos njollosim veten”, – tha Fino.

Halit Valteri, deputeti i opozitës parlamentare, u shpreh se është në dakordësi të plotë me deputetin Fino. “Unë si një i ri shqiptarë një njeri që e dua këtë vend, më pas me detyrën që kam si president, jam shume krenar me atë që folët dhe diskutuat. 55 emrat që kanë firmosur, kanë vendosur dinjitetin e tyre, fytyrën e tyre, minimalisht presin nga ne seriozitetin dhe përgjigjen për çka u ngrit ky komision. Presidenti i Republikës ka shkelur me të dyja këmbët kushtetutën. Opozita parlamentare duhet të mbështesin ata që bënë për ngritjen e këtij komisioni, zhdekretimit 30 e qershorit, që është shkelje kushtetutës. Ne do t’i bashkangjitemi raportit të mazhorancës me një ndryshim, pasi duam shkarkimin e Presidentit për shkelje të Kushtetutës. Për ne Kushtetuta është gjithçka, Bibël, Kur’an, është e shenjtë, prandaj iu bëj thirrje 55 deputetëve të votojnë pro shkarkimi të Presidentit të Republikës”, – tha Valteri.

Deputeti i PS, Alket Hyseni u shpreh se “në fakt është një debat që duhet sqaruar që nuk është thjesht profesional. Jemi në këtë komision hetimor jo për shkarkimin e Presidentit, lexoni mandatin që na ka dhënë seanca plenare dhe në asnjë rresht nuk është shkarkimi, por kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit. Në zhargonin mediatik dhe popullor është quajtur komision për shkarkimin e presidentit”, – tha Hyseni.

“Nuk duhet të bërtasim se po shkarkojmë presidentin. nuk është moment juridik për t’u krenuar. Unë kam pasur rezerva për Presidentin e Republikës dhe ndonjë nga shkeljet mund të ketë qenë e rëndë. Nuk jemi një gjykatë profesionale, ne bëjmë një analizë juridike të fakteve”, – shtoi ai.

“Nëse do ishte Gjykata Kushtetuese debati do ishte më i lehtë. Do kishte një filtër tjetër. Por në mungesë të saj nuk duhet t’ia lëmë bindjeve tona. Është e faktuar tashmë që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Disa nga shkeljet përbëjnë elementë të plotë të shkeljes së rëndë. Mjafton për mua shkelja e e parimit të unitetit e sovranitetit por për sa kohë ekspertiza më e lartë referoi që dhe në mungesë të disa vakumeve mund t’i tolerojmë shkelje të tilla dhe pse kanë ndodhur na ka mbetur t’i themi parlamentit që kontrolli i ligjshmërisë rezultoi që ka pasur këto shkelje të cilat janë evidentuar në raport, përtej anës procedurale. Nuk i pezullojmë dot funksionarët sipas mendjes sonë”, – theksoi Hyseni.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi u tha se është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos se sa të rënda janë shkeljet e bëra nga Presidenti. “Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rënda. Pastaj sa të rënda janë shkeljet që kemi evidentuar i vendos Gjykata Kushtetuese. Lidhur me propozimet që ne bëjmë, shtohen dy nevoja, nevoja për ligj organik për Presidentin e Republikës dhe këtij ligji organik i duhen caktuar dhe mekanizmat zhbllokuese”, – tha Hysi.

Relatorja e Raportit të Komisionit Hetimor, deputetja e PS, Klotilda Bushka tha se Komisioni hetimor ka natyrë teknike. “Është punë juridike teknike ajo e komisionit. Askush nuk është i ndaluar të jap pikëpamjet politike të veta. Procesi ndahet në dy faza: njëra lidhet me fazën juridike-teknike, dhe faza e dytë, faza politike, që i takon seancës plenare. Ne jemi bërë bashkë një plan pune dhe tek metodologjia kemi përcaktuar se duhet marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”, – tha Bushka.

“Dhe futja e Komisionit të Venecias është një nga shkaqet e vonesës së konkluzioneve. I fundit konkluzion është publikuar në fund të qershorit 2020 dhe ne jemi në kohë të arsyeshme duke lexuar konkluzionet. Ne kemi hetuar, kemi arritur në konkluzionin se ka shkelje të kryera nga Presidenti si për zgjedhjet vendore, po ashtu dhe tek emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Tek zgjedhjet e datës 30 qershor, presidenti ka tejkaluar kompetencat”, – tha Bushka.

Sipas saj “është bërë shkelje me vendimin për shtyrje e datës së zgjedhjeve me pretendimin se siguria kombëtare ishte në rrezik, është shkelur periodiciteti, është shkelur parimi sovranitetit dhe uniteti kombëtar”.

“Po ashtu është bërë shkelje në aspektin e emërimeve në Kushtetuese, por këto shkelje nuk mjaftojnë t’i japim fund punës sonë. Prandaj ne ju referuam standardeve të Komisionit të Venecias që vlerëson rëndësinë e shkeljes me pasojat, pra sa të rënda janë pasojat, aq edhe shkeljet, dhe në rastin tonë s’kemi pasur pasoja të rënda, pasi zgjedhjet e 30 qershorit u realizuan në një klimë të qetë”, – tha Bushka.

Deputeti Ulsi Manja, duke lexuar konkluzionet e raportit që do t’i dërgohet Kuvendit në periudhën brenda një jave, nënvizon se “shkeljet e kryera nga Presidenti në formën e veprimeve apo mos veprimeve nuk konsiderohen të mjaftueshëm për të propozuar shkarkimin e presidentit në seancë plenare. Bazuar në nenin 20 për veprimtarinë e Komisioneve Hetimore, Komisioni sugjeron dhe i rekomandon Kuvendit këto zgjidhje në lidhje me objektin e hetimit: I propozon rishikim të dispozitave kushtetuese dhe parashikimin e një ligji organik të rregulluar për presidentin, ku parashikohen dhe mekanizmat zhbllokues. Komisioni Hetimor sugjeron parashikime të qarta për mosbllokimin në të ardhmen të proceseve zgjedhore. Po ashtu Komisioni Hetimor sugjeron ndryshime ligjore që sqarojnë dhe vlerësojnë rëndësinë e shkeljeve për mos organizimin  e ceremonive formale për betimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese”, – përfundoi Manja, ndërsa çeli votimin, ku deputeti Bashkim Fino votoi pro me rezerva, pasi kërkoi heqjen e sugjerimeve, ndërsa pjesa tjetër deputetëve të pranishëm konfirmuan qëndrimin pro raportit final.  ata

Aktualitet

Archives