Shënohet Dita Botërore e Zgjedhjeve

Me aktivitete sensibilzuese në Shqipëri është shënuar Dita Botërore e Zgjedhjeve, ku në fokus ishin të rinjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e kësaj dite, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) organizoi një bashkëbisedim me të studentë dhe të rinj të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të jenë votues për herë të parë.

Aktiviteti kishte si qëllim përcjelljen e mesazheve edukuese dhe sensibilizuese për rëndësinë e votës dhe proceseve demokratike në vend.

Në një fjalë përshëndetëse gjatë aktivitetit, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi, tha se shënimi i Ditës Botërore të Zgjedhjeve bashkë me përfaqësues të grupimeve të ndryshme shoqërore, është shprehje e vlerësimit shoqëror dhe institucional për rëndësinë e madhe të procesit zgjedhor, që sipas tij është me ndikim të madh në përcaktimin e fateve të vendit.

“Sot në të gjithë botën demokratike procesi zgjedhor është i mbështetur në legjislacione të artikuluara qartë, që përcaktojnë mekanizmat për organizimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor, bazuar në parimiet universale të zgjedhjeve periodike, votës së lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë. Kuadri ligjor siguron një bazë të qëndrueshme për zgjedhje demokratike dhe të drejta. Por, po kaq e rëndësishme është që gjithsecili të shprehë mendimin e tij përmes votës. Nuk ka demokraci pa votë dhe nuk ka demokraci pa votë të lirë”, tha Skënderi.

Sipas tij, në aktivitetet e organizuar me rastin e kësaj dite pjesëmarrja e të rinjve, studentëve, maturantëve që në zgjedhjet e ardhshme do të jenë votues për herë të parë, aktivistëve të komunitetit rom dhe grave, është dëshmi e solidaritetit dhe angazhimit shoqëror për konsolidimin e demokracisë në vend përmes votës së lirë.

Skënderi theksoi se KQZ zhvillon në vijimësi veprimtari që synojnë të forcojnë kulturën zgjedhore tek të gjithë shtetasit dhe veçanërisht tek të rinjtë, për të kuptuar qartë, sipas tij, rëndësinë, vlerën dhe forcën e votës.

Dita Botërore e Zgjedhjeve shënohet çdo vit të enjten e parë të muajit shkurt dhe ka si qëllim përcjelljen e mesazheve për forcimin e proceseve demokratike.

Aktualitet

Archives