Rritje e rasteve me COVID-19/Zv.Ministrja Kuko: Nuk duhet të shpërdorojmë këtë liri të fituar pas tre muajsh, të respektohen masat

“Numrat na tregojnë se rreziku i pandemisë nuk ka kaluar, madje ka një shqetësim në rritje. Ndaj masat duhen forcuar dhe vigjilenca duhet shtuar”, apeloi zot zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko.

E shoqëruar edhe drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, Kuko inspektoi nga afër respektimin e masave të kushtëzuara të hapjes, në një qendër tregtare në Tiranë.

ZV.ministrja apeloi që qytetarët dhe bizneset duhet të bëjnë kujdes dhe të respektojnë protokollet pasi nuk duhet të shpërdorojmë këtë liri të fituar pas tre muajsh.

“Së bashku me Drejtorin e Rendit dhe kolegët nga Ministria e Shëndetësisë kryem një kontroll të masave në kuadër të distancimit sociale dhe masave të hapjes. Me keqardhje konstatojmë se ditët e fundit kemi patur rritje të rasteve të cilat lidhen automatikisht me mosrespektimin e masave”, deklaroi Kuko.

Ajo nënvizoi se rihapja është e kushtëzuar, nuk do të thotë përfundimin e pandemisë apo ulje e rasteve.

“Ditët e fundit na tregojnë që neglizhimi i masave qoftë në distancimin social apo respektimin e protokolleve ka rezultuar në rritje të rasteve. Policia do të jetë në mbështetje të inspektoriateve që do të kryejnë inspektime sipas një grafiku të mirëpërcaktuar, askush nuk do të mbetet pa u inspektuar dhe pa marrë masat e duhura në respektimin e protokolleve sepse bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve”, tha Kuko.

Ajo nënvizoi sërish se “masat e hapjes janë të kushtëzuara, ç’ka do të thotë se të gjithë ne duhet të shijojmë me përgjegjshmëri këtë liri që sa e kemi fituar pas në sakrifice të madhe prej tre muajsh”.

Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj tha se policia është në gatishmëri të plotë për të dhënë kontributin e saj në respektimin e masave.

“Policia e Shtetit po vazhdon të kryejë me përgjithësi të gjithë detyrat që ka kryer që prej fillimit të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit janë konstatuar disa problematika, për të cilat Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Unë do t’u bëja thirrje qytetarëve që të jenë ekzigjentë dhe të përgjegjshëm në të gjithë këtë liri që ne kemi fituar”, apeloi Dervishaj duke shtuar se përgjegjësia është personale për të mos krijuar vatër të re nga COVID-19.

ATA

Aktualitet

Archives