Rama: Udhëheqës të Shengenit rajonal/ Fuqizojmë pozicionin tonë në rajon dhe kandidaturën për anëtarë të BE-së

“Forcimi i përmasës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kalon nga forcimi i faktorit shqiptar në rajon dhe zhvillimi i mëtejshëm i projektit të Shengenit rajonal, ku ne jemi qysh në krye të herës nxitës dhe sot e në vijim do të jemi udhëheqës të këtij procesi”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, Rama tha se “përmes këtij procesi fuqizohet pozicion ynë jo vetëm në rajon por edhe në Europë dhe fuqizojmë kandidaturën tonë për të qenë anëtarë të BE-së”.

“Kjo parti është shpirti patriotik i politikës shqiptare dhe fytyra europiane e Shqipërisë. Qysh në krijimin e saj në 1991 deri më sot, kjo është e vetmja parti që kurrë nuk e ka tradhtuar apo cenuar interesin kombëtar, por kjo është partia që ka arritur t’i japë sot një dimension krejt të panjohur më parë politikës së jashtme të Shqipërisë”, tha Rama.

Pavarësisht të gjithë luftës së madhe që bëhet këtu brenda kundër nesh, produktet e ulëta të së cilës eksportohen intensivisht jashtë, Rama tha se “sot si asnjëherë më parë, falë nesh Shqipëria është e respektuar dhe e vlerësuar në sytë e të gjithë lidershipit europian dhe më gjerë”.

Kryeministri u shpreh se “detyra jonë është ta forcojmë më tutje këtë përmasë”. ATA

Aktualitet

Archives