Rama në Moskë si kreu i OSBE-së: Marrëveshja e Minskut, baza e një procesi që çon drejt paqes

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “si kreu i OSBE-së për këtë vit, do të punojë drejt zgjidhjes së konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë”.

Në një intervistë për Top-Channel, Rama tha se vizita në Moskë është një takim në vazhdën e stacioneve të misionit të kryesimit të OSBE-së.

“E dimë të gjithë që konflikti në dhe përreth Ukrainës është konflikti më i rëndësishëm sot në kontinentin tonë. Me implikime jo të vogla që kërkon një adresim sa më racional nga të gjitha palët. Sigurisht që Rusia ka një fuqi dhe një rol të dorës së parë. Ashtu sikur është e rëndësishme të thuhet se pozicioni ynë si Shqipëri dhe i qeverisë është krejt i qartë në raport me Ukrainën dhe në atë që i kanë ndodhur Ukrainës nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë. Në rolin e kryesuesit të OSBE-së, përpjekja ime do të jetë një përpjekje për të gjetur rrugë që palët të afrohen më shumë në funksion të lehtësimit të jetës së njerëzve aty ku konflikti ndodh, dhe aty ku njerëzit vuajnë”, tha Rama.

I pyetur se çfarë do t’i kërkojë shefit të diplomacisë ruse, Lavrov, Kryeministri Rama tha se “jemi të përgatitur që të diskutojmë në këtë bazë”.

“Është e rëndësishme që në këtë proces, OSBE të ketë forcë dhe kapacitete sa më të mëdha lehtësuese të një dialogu që ka nisur. Vazhdon në të tjera formate. Formati i Normandisë. Ku Kancelarja gjermane, Presidenti i Francës, Presidenti i Rusisë, dhe ai ukrainas janë ulur në një tryezë për të çuar përpara një proces të vështirë. Ka një marrëveshje. Marrëveshja e ‘Minskut’. Është baza e një procesi për ta çuar përpara, që çon drejt paqes dhe zgjidhjes të konfliktit në mënyrë përfundimtare”, tha Rama.

Rama tha se “për mua si kryetar i OSBE-së për këtë vit është shumë e qartë se marrëveshja nuk është për t’u debatuar apo negociuar por për t’u zbatuar”.

“Qëndrimet e palëve kanë pika afrimi dhe skajshmërisht të largëta dhe detyra jonë si organizatë është të mundohemi të përputhim pikat e afrimit dhe të afrojmë pikat e largëta. E kam thënë që ditën e parë që nuk vijmë për të marrë role që nuk kemi pse i marrim se janë të tjera fuqi që i kanë, por për të bërë atë që më të mëdhenjtë e harrojnë më lehtë. Fokusi tek njerëzit e zakonshëm dhe që janë pika të drejtpërdrejta të konfliktit. Fëmijët, të moshuarit, familjet në ato territore”, tha ai.

Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Rusi, Rama tha se “jemi të kujdesshëm dhe të ngadaltë në procesin e dhënies së impulseve me Moskën, pasi e dimë shumë mirë se ka disa aspekte të rëndësishme të natyrës strategjike mbi të cilat ne si anëtar të NATO-s, si pjesë e familjes së Europës së bashkuar, pavarësisht se jo anëtarë të saj, na ndajnë. Dhe nga ana tjetër patjetër që ka jo pak gjëra që mund të na ofrojnë në funksion të interesave të përbashkëta që nuk cënojnë dhe nuk anashkalojnë aspektet e panegociueshme strategjike”.

Aktualitet

Archives