Koronavirusi/ Ministrja Manastirliu: Përforcim kontrolleve në aeroport dhe pika kufitare, OBSH nuk ka rekomanduar mbylljen e kufijve

 Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu garantoi se “jemi angazhuar 24 orë në 7 ditë të javës, edhe para se situata e koronavirusit të bëhej emergjencë globale. Qeveria është e angazhuar përmes taskforcës dhe komitetit të eksperteve për masat në këtë situatë”.Gjatë një emisioni televiziv, Manastirliu u shpreh se, deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.“Në laboratorin e certifikuar të ISHP janë testuar 8 raste që kanë rezultuar negativ. Ne kemi një sistem shumë të mirë të survejancës aktiv që është në kontakt me rastet që kanë pasur një historik udhëtimi me vendet e rrezikut. Këta persona kane pasur një historik udhëtimi me Kinën dhe është vlerësuar nga ekspertet testimi. Janë pacientë që janë ndjekur në shërbimin infektiv”- tha ministrja.“Nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri. Masat që kemi marrë në aeroporte janë të standardeve të OBSH. Nëse vendosim të aktivizojmë strukturat e karantinës, janë disa struktura që nuk do të mbeten sekret as për mediat nëse do të jetë nevoja t’i përdorim, me mbi 180 shtretër. Janë mbi 30 mjekë të infektivit në krye të detyrës. Rasti më negativ do të jetë pandemia. Farmacitë do të vijojnë furnizimin e tyre edhe për maskat edhe për antibakterialet. Kemi nxjerrë inspektoriatin e Barnave për të shmangur rritjen e pakontrolluar të çmimeve. Kemi edhe laboratorin për të analizuar rastet”, u shpreh ministrja.Të gjitha vendimet që marrim në taskforcë, theksoi Manastirliu, bazohen në rekomandimet e OBSH dhe ekspertëve të komitetit. OBSH nuk ka rekomanduar mbylljen e kufijve. Plani masave rekomandon përforcimin e kontrolleve në aeroport dhe pika kufitare, dyfishimin e ekipeve që intervistojnë dhe kontrollojnë udhëtarët.Përsa i përket vendndodhjes së karantinës, ministrja shpjegoi se, “ekspertët që kanë vlerësuar strukturat e përdorshme për karantinë kanë vendosur të bëjnë gati këto struktura të cilat vlerësohen spitalet apo struktura akomoduese të tjera që përmbushin disa standarde”.“Janë bërë gati. Ekspertët kanë vlerësuar një seri strukturash spitalore dhe jospitalore. Në momentin kur të vendosim të hapim karantinën do të informojmë”- tha Manastirliu.Sipas saj, nga gjithë vlerësimi i kapaciteteve që ekspertët kanë bërë, ne kemi mundësi që ta përballojmë, përfshirë këtu edhe pajisjet. ATA

Aktualitet

Archives