Rama: Meta u zgjodh President me votat e veta, ne e kemi shkarkuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Ilir Meta është zgjedhur president me votat e tij, jo me votat e PS.

Rama theksoi se, parlamenti e ka shkarkuar Ilir Metën me votim të fshehtë, por procedura e formalizimit të shkarkimit ose jo të Presidentit kalon nga Gjykata Kushtetuese.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët lidhur me reformën në drejtësi dhe 21 Janarin, i pyetur se pse Presidenti i Republikës, Ilir Meta që ishte shkaku i protestës së 21 Janarit u ngjit lart e më lart, Rama tha se, “ju them prapë që Ilir Meta është zgjedhur president me votat e tij, jo me votat tona”.

“Ne nuk kishim votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës, nuk i kishim, se po të kishim votat sigurisht nuk do të zgjidhnim Ilir Metën, por nuk i kishim votat. Dhe mes një të keqeje si ajo e zgjedhjes së Ilir Metës dhe një të keqeje tjetër shumë më të madhe si ajo e rifutjes së vendit në një proces kaotik, nga e para, ne zgjodhëm të keqen më të vogël”, u shpreh Rama.

Dhe për më tepër, shtoi Rama, “me bindjen që t’i jepnim opozitës Presidentin”.

“E kam thënë që në ditën e parë, kur Ilir Meta ende nuk e kishte nxjerrë kokën publikisht, por ndërkohë e kishte nxjerrë kokën fare, fare qartësisht jashtë kamerave, se ishte aty një kolonë e pestë e opozitës dhe e frontit të kundërshtisë me PS-në, me qeverinë dhe me mua. Kaq e thjeshtë”, tha ai.

Për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit të Republikës, Rama tha se, “ne e kemi shkarkuar Ilir Metën”.

“Parlamenti e ka shkarkuar Ilir Metën me votim të fshehtë. Ilir Meta është një president i shkarkuar nga parlamenti, por procedura e formalizimit të shkarkimit ose jo të Presidentit kalon nga Gjykata Kushtetuese. Janë të ndara pushtetet. Unë nuk e di sesi ka akoma njerëz sot që kërkojnë nga unë, që kërkojnë nga qeveria të bëjë punë që nuk janë punët tona. Nuk jemi as në monarki, nuk jemi as në diktaturë, nuk jemi as në kushtet e një pushteti absolut, pavarësisht se një tufë njerëzish që janë të frymëzuar vetëm nga instiktet e urrejtjes, të inatit, të mllefit, të hakmarrjes, flasin për regjim nga mëngjesi deri në darkë. Cili regjim? Nëse këtu do ishte regjim, këtu shumë gjëra nga këto që flasim as nuk do të diskutoheshin më dhe nëse këtu do ishte regjim këtu s’do kishte njeri që do guxonte të hapte gojën dhe të fliste për regjim”, tha Rama.

Shmangien që Ilir Meta i bëri sot nga Korç pyetjeve për 21 janarin, Rama e komentoi duke ngritur pyetjen për çfarë të përgjigjet Ilir Meta për 21 janarin?.

“Si prisni të përgjigjet Ilir Meta për 21 janarin dhe çfarë të bëjë përveç se të shpërndajë dekorata? Dekorata pa asnjë vlerë, pa asnjë kuptim, pa asnjë përmbajtje, që janë një tallje e madhe me ata njerëz që për fat të keq shkojnë e i marrin dekoratat e Ilir Metës sepse janë realisht bosh në përmbajtje, bosh në kuptim, bosh në vlerë”, u shpreh Rama.ata

Aktualitet

Archives