Rama i përgjigjet Bashës: Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë! Eja të bashkëpunojmë!

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nga zonat e dëmtuara nga tërmeti në Ishëm foli për një gjendje të rënduar të familjeve të cilave iu janë dëmtuar shtëpitë. Kryeministri e quajti këtë një përdorim të fatkeqësisë për politikë dhe e ftoi kryeopozitarin Basha të bashkëpunojë për t’u ardhur në ndihmë atyre banorëve.

“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë,” shprehet Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se kjo është një tragjedi e cila nuk duhet të përdoret as për sfond mediatik dhe as për politikën e vjetër në Shqipëri.

“Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, në vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll,” deklaroi Rama.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vizitoi gjatë ditës banorët e dëmtuar nga tërmeti në Sukth, Ishëm, Gjuricaj, Kërtushë dhe Armath, nga ku tha se këta banorë janë në nevojë ekstreme për gjithçka. ATSH

Aktualitet

Archives