Rama: I gatshëm të diskutojmë hapjen e listave me konsensus trepalësh

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot pasdite një takim me përfaqësues të opozitës parlamentare lidhur me Reformën Zgjedhore.

Pas përfundimit të takimit në kryesinë e Kuvendit, Rama tha në prononcimin për mediet se nuk u arrit një konsensus për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, pasi sipas tij, mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës ka një konflikt në thelb, që lidhet me marrëveshjen e mëhershme me opozitën jashtëparlamentare arritur në Këshillin Politik.

“Kem një konflikt në themel, që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën mund të zhvillojmë më tej procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim. Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë hapjeje të listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në konsensus trepalësh. Në një konsensus të tillë askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron, të tre palët do duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë zë në proces”, – tha Rama.

“Këtu jemi, e para është se kemi nevojë për një mazhorancë të gjerë në Kuvend që është shumë përtej mazhorancës që kemi. PS nuk do të angazhohet në procese kapje të një vote këtu e një atje, për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm. Unë s’kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë sesa për këta që janë brenda. Askush nuk ka monopol në këtë proces”, – u shpreh Kryeministri Rama.

“Në këtë aspekt dua të jap një mesazh të qartë për të gjithë, sot është e vërtetë që një shumicë dërrmuese e qytetarëve duan të kenë më shumë zë në proces, pra një mundësi më të madhe për të gjetur përtej një program dhe një përfaqësues të një liste të një partie apo partisë tjetër. Ne jemi Partia Socialiste dhe ne e kemi sfidë me vetveten të jemi pasqyrë ku reflektohen ambiciet dhe dëshirat e njerëzve dhe në një proces ku jemi të vendosur të ecim me një lidership të qartë me publikun, ku qëllimi është zgjerimi i aleancës me njerëzit ku i përfshin ata edhe më shumë me një vendimmarrje edhe për deputetët”, – tha Rama.

“Marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetët aktual të opozitës. Ata duhet të pajtohen me idenë se këtë pengesë duhet ta kapërcejnë. Depolitizimi i administrimit do ishte shumë më mirë, sesa përfshirja e partive në administrim. Është një koncesion apo lëshim shumë i madh që i kemi bërë Partisë Demokratike. Këtë lëshim duhet ta mbajmë ndërkohë, që për të hapur më tutje dhe për të zgjeruar më tutje procesin, miqtë e opozitës parlamentare, duhet të kuptojnë miqtë e opozitës jashtëparlamentare”, – përfundoi Rama.

Aktualitet

Archives