Qeveria ndërhyn për zgjidhje/Rama; Brenda 48 orësh bord kombëtar për administrimin e karburantit, do caktohet marzhi i fitimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “brenda 48 orësh do të krijohet një bord kombëtar i administrimit të karburantit, ku furnizuesit e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë për të bërë transparencë me çmimet, në mënyrë të përditshme”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët mbi rritjen e çmimit të naftës, Rama tha se “qeveria  do të ndërhyjë për të frenuar çdo tendencë spekulative me çmimin e naftës, duke krijuar brenda 48 orësh këtë bord”.

“Brenda 48 orësh, si pjesë e planit që do të shpaloset i gjithë në 48 orë, me një akt normativ me fuqinë e ligjit, një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme, do të krijojmë një bord kombëtar të administrimit të karburantit, ku furnizuesit e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë për të bërë transparencë me çmimet, në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë, jo nga secili sipas qejfit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “do flitet për të gjitha aspektet që nga grumbullimi, rezervimi, shfrytëzimi i depozitave, deri te pika fundore e shitjes, kjo deri në një moment të dytë sipas dinamikës së kësaj lufte”.

Rama theksoi se “nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bordin e administrimit të karburantit”.

Kryeministri theksoi se “ne do të përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që do të shkelë vendimet e këtij bordi superspecialë, një tryezë e përbashkët vendimmarrëse e furnitorëve dhe e qeverisë, për njerëzit në këtë kohë të jashtëzakonshme lufte”.

“Sot nuk është dita për të fituar, por për të rezistuar. Nuk është dita për t’u ndarë, por për t’u bashkuar. Është dita për t’ju thënë atyre që vinë te pika e karburantit: ‘unë timen e bëra, do bësh edhe ti tënden”, tha Rama.

“I kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjitha recetat që jepen në Facebook apo nëpër tribuna për zgjidhjen e situatës. Nëse do të ishte receta hiq TVSH-në, hiq taksën dhe gjërat do të zgjidheshin, nuk do të prisnim të na e sugjeronin nga Facebook apo tribunat, njerëz që nuk i bien lapsit kurrë dhe nisen nga fakte të stisura”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “para disa vitesh u hoq TVSH-ja mbi bukën, po kjo nuk dha asnjë rezultat, asnjë ulje çmimi, sepse si rregull, tregu i lirë nuk i lëviz çmimet sipas vendimeve të qeverisë”.

Rama u zotua se “siç i dolëm në mbrojtje njerëzve në rastin e pandemisë dhe tërmetit, ashtu do të veprojmë edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme, e provokuar nga lufta”.

“Brenda 48 orësh ne do t’ju themi konkretisht se çfarë dhe si do të bëjmë për të adresuar këtë problematikë të nxehtë që e kuptojmë shumë mirë. Për hir të detyrës dhe mënyrën se si e kuptoj unë detyrën, unë nuk fle edhe kur të gjithë ata që na japin recetat e gatshme flenë. Njoh aq shumë në detaje realitetin e njerëzve që çdo ditë përballen me vështirësitë, unë jetoj me problemet e njerëzve, i dëgjoj të gjithë me shumë respekt, por në fund të ditës përgjegjësia për të udhëhequr ngrihet mbi domosdoshmërinë që çdo hap të hidhet në mënyrë të sigurtë”, tha Rama.

ata

Aktualitet

Archives