PS fiton 53 bashki, Rama falënderon qytetarët

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama ka falënderuar sot të gjithë qytetarët që votuan kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 14 majit.

Për herë të parë, Partia Socialiste do të drejtojë Bashkinë Shkodër me Benet Becin në krye, bashki e cila që prej vitit 1992 është drejtuar nga kandidatët e Partisë Demokratike.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Beci kryeson me 34 470 vota dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia me 22 769 vota.

Kryeministri deklaroi mbrëmjen e djeshme se pas kthimit nga Samiti i Liderëve të Këshillit të Europës në Islandë do të nisë turin e falenderimeve nga Shkodra, ku theksoi vendosmërinë që të bëjë një histori të re në qytetin verior në shumë dimensione.

“Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falenderimi në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Ai theksoi se duhet të bëjnë jo atë që kanë thënë, po edhe më shumë sepse Shkodra u dha jo një shans, po një besim shumë të fortë.

Rama vuri në dukje se “ky është një besim shumë i fortë që mund të kthehet në një kohë, jo shumë të gjatë në një mosbesim shumë të madh nëse ne nuk jenë në lartësinë e kësaj sfide”.

“Unë i bëra një sfidë Shkodrës disa herë. Dështova disa herë. Këtë herë Shkodra më ka bërë mua dhe na ka bërë ne një sfidë më të madhe se të gjitha sfidat që ne i bëmë të marra së bashku”, deklaroi Rama duke shtuar se Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nisë pas disa muajsh.

Partia Socialiste ka fituar shumicën e bashkive në zgjedhjet vendore të 14 Majit duke siguruar 53 bashki, ndërsa koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ 7 bashki.

Në Finiq ka fituar Romeo Çapuli i “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”, me 38.59% të votave.

Aktualisht po vijon numërimi i votave edhe për këshillat bashkiakë ku Partia Socialiste kryeson në pjesën më të madhe të bashkive.ata

Aktualitet

Archives