Programi Axhenda Shqiptare

Në Shqipëri filloi muaji i shenjtë i Ramazanit

Në të gjitha qytetet e Shqipërisë ka atmoferë të muajit të madhëruar të Ramazanit, ku besimtarët e të gjitha moshave i përkushtohen më shumë se kurrë Zotit të tyre me anë të agjërimit dhe riteve të tjera…

Ashtu si besimtarët myslimanë në mbarë botën, edhe në Shqipëri ka nisur agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit do të agjërojnë nga koha e agimit deri në perëndimin e diellit. Besimtarët myslimanë shqiptarë për kohën e Ramazanit do të agjërojnë rreth 17 orë në ditë.

Gjithashtu në të gjitha qytetet e Shqipërisë ka atmoferë të muajit të madhëruar të Ramazanit, ku besimtarët e të gjitha moshave i përkushtohen më shumë se kurrë Zotit të tyre, më anë të agjërimit, flajes së namazit të teravive, mukabeles (leximit të plotë të Kuranit Famëlartë), ndihmesës dhe solidaritetit më të tjerët, përhapjes së paqes dhe harmonisë në mes të gjithe njerëzve, etj.

Shkodra, si një ndër qytetet më të rëndësishme shqiptare në aspekt të trashëgimisë e kultivimit të besimit dhe si dhe kultures shekullore ndërfetare me anë të institucionit të myftinisë ka organizuar për të 10-tën vit radhazi veprimtarinë tradicionale “Sofra e Kuranit” me hafizë të ardhur nga Turqia dhe Maqedonia.

Hafizët  Adnan Kadria dhe Avni Hasani nga Maqedonia si dhe hafizët nga Turqia, Sejid Temur dhe Idriz Arasoglu prezantuan para të pranishmëve pjesë të ndryshme nga Kurani duke ndezur zemrat me emocione që përjetohen në tubimet e begata, ku lexohet Fjala e Zotit të gjithësisë.

Aktivitetin e përshëndeti myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, i cili tha se ky tubim i ngjan dallëndysheve të pranverës që lajmërojnë stinën e shumëpritur të freskisë, gjallërimit të jetës dhe rrezeve plot begati të diellit.

“…Ne myslimanët shqiptarë e ndjemë veten të bekuar me Kuranin  Famëlartë që u lexua në këtë tokë të shenjtë. Muaji  i Ramazanit do të jetë bekim për gjithë myslimanët e botës, në këtë kohë kur çoroditjet politike duan ta largojnë njerëzimin nga besimi tek Zoti Fuqiplotë…”.

Për rreth një orë, të pranishmit patën mundësi të ndjekin këndimet e bukura kuranore nga hafizët e Dijanetit të Turqisë si dhe nga Maqedonia, që u mbyllën me këndimin e ezanit drejtpërsëdrejti nga sheshi i xhamisë së Parrucës.

Nga ana tjetër, në fillim të muajit të Ramazanit dhe gjatë tij, shoqata të ndryshme humanitare  turke që operojnë në Shqipëri u gjenden pranë besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm duke i ndihmuar me pako ushqimore, si dhe organizimin e iftareve.

Po ashtu,  gjatë këtij muaji të gjithë besimtarët  e Shqipërisë urojnë njëri-tjetrin për agjërim të lehtë e adhurim të pranuar, me lutjen që në familjen e çdo shqiptari dhe jo vetëm të ketë paqe, qetësi dhe harmoni.

-Në Tiranë mbahet tubimi në mbështetje të popullit palestinez

Një grup qytetarësh kanë organizuar të martën, në Tiranë një tubim paqësor në mbështetje të popullit palestinez, pas martirizimit të dhjetëra palestinezëve nga forcat izraelite gjatë protestave në kufirin e Gazës.

Tubimi është mbajtur pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nën organizimin e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe në Tiranë në bashkëpunim me ambasadën Palestineze në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë dhjetra qytetarë.

Pjesëmarrësit me pankarta në duar si “Xhamia Al Aksa, qyteti Kuds (Jerusalem) janë vijat e kuqe të besimit Islam” dhe me flamujt e Palestinës kanë shprehur mbështetjet e tyre për popullin palestinez.

Pjesë e tubimit ishin edhe përfaqësuesit e ambasadës së Palestinës në Tiranë, si dhe palestinezë që jetojnë në Shqipëri.

Qytetarët shqiptarë në këtë tubim kanë shprehur solidaritetin e tyre për popullin e Palestinës. Sipas organizatorëve tubimi është mbajtur duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në Palestinë.

Turqia rrit investimet në Shqipëri

Turqia do të rrisë investimet në Shqipëri. Ky ishte premtimi i kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Turke. I pranishëm në ceremoni, kryeministri shqiptar, Edi Rama përmendi investimet në aeroportin e Vlorës dhe në linjën ajrore.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Turkekryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e investimit në aeroportin e Vlorës.

“…Iyi akşamlar! Më vjen jashtëzakonisht mirë që ky do të jetë viti i lançimit të dy investimeve shumë të rëndësishme dhe mjaft simbolike për cilësinë e kësaj marrëdhënieje, investimi për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës…”.

Kryeminstri shqiptar tha se ky investim mbështet nga ana e kompanisë “Turkish Airline”, i cila do të asistoi për ngritjen e linjës kombëtare ajrore.

“…Aeroporti i Vlorës do të jetë një stimul shumë i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, si dhe për fuqizimin e industrisë sonë të turizmit. Ndërsa linja e re ajrore kombëtare do të jetë më në fund një mundësi e re dhe e shumëpritur për të gjithë shqiptarët, që të kenë shtëpinë e tyre fluturuese…”.

Rama çmoi lart marrëdhëniet shqiptaro-turke duke nënvizuar se: “…Besoj se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Turqisë është e tillë që i thotë të gjitha fjalët…Unë dua ta shpreh sot, këtu, mirënjohjen për faktin se në çdo rast emergjencash dhe situatash të vështira për shkak të fatkeqësive natyrore, Turqia ka qenë gjithnjë i pari vend që ka nisur ndihmat dhe mbështetjen konkrete të nevojshme.

Ashtu sikundër i jam shumë mirënjohës Presidentit Erdogan për faktin se është interesuar personalisht për të mbështetur një program jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, për parandalimin e përmbytjeve, duke na vënë në dispozicion një ekip të gjerë ekspertësh të Ministrisë së Pyjeve dhe të Ujërave, si dhe drejtuesish të një sërë agjencive të vendit të tij dhe duke marrë angazhimin për të na qenë pranë deri në realizimin e plotë të këtij programi në lumenjtë e Vjosës dhe Bunës…”.

Ndërkaq, dhe kryetari i kësaj dhome gjatë ceremonisë tha se do të rriten investimet e biznesmenëve turq në Shqipëri.

– Turqia vazhdon trajnimet për Policinë e Shqipërisë

Drejtoria e Policisë së Republikës së Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore në fusha të ndryshme.

Në ceremoninë e organizuar në Tiranë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë me rastin e përfundimit të kursit me temë: “Trajnimi mbi teknikat e intervistimit dhe të marrjes në pyetje” ishin të pranishëm, zv/ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, Ilirjan Mandro, përfaqësuesit e Policisë Turke, etj.

Mandro, duke folur në aktivitet, pasi falënderoi përfaqësuesit e ambasadës së Turqisë në Tiranë theksoi se ky është kursi i parë i një vargu të gjatë kursesh që do të zhvillojnë në vazhdimësi.

Në të njëjtën kohë që ne bëjmë këtë ceremoni dhe në Ankara po bëhet një ceremoni tjetër, ku po trajnohen dhe çertifikohen specialistë në fushën e terrorit. Kjo dëshmon dhe një herë për lidhjen dhe bashkëpunimin që kemi ndërmjet dy policive”, deklaroi Mandro.

Në këtë aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe zv/ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke u ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen e ofruar nga Turqia për Policinë e Shqipërisë.

Interesi jonë është që të kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat. Ne i japim rëndësi të posaçme marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë. Është fat që marrëdhëniet mes drejtorit të policisë shqiptare dhe policisë turke janë në nivel të shkëlqyer. Ne ju shohim ju si miq dhe si vëllezër, pra botëkuptimi jonë është që siguria e Turqisë është njësoj siç është siguria në Shqipëri, nuk mund të jemi njëra palë e sigurtë pa qenë edhe tjetra. Krimi i organizuar i kapërcen kufijtë, krimi mund ta ketë fillimin në Shqipëri dhe mbaron në Turqi dhe anasjelltas. Ne kemi pasur dhe rezultatet e këtij bashkëpunimi sa i përket luftës së përbashkët kundër kriminalitetit në fushën e narkotikëve”, tha Cem Baş.

Duke folur për bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e sigurisë, Cem Baş theksoi se gjatë vitit 2018 do të realizohen rreth 20 kurse në fushën e sigurisë.

Jemi dy kombe që kuptohemi me njëri-tjetrin dhe gjatë vitit 2018 do të jenë 20 kurse në fushën e sigurisë. Siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Ballkan, do të thotë siguri e Ballkanit“, tha zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë.

Pjesë e kursit “Trajnim mbi teknikat e intervistimit dhe të marrjes në pyetje” ishin 20 punonjës të Policisë së Shqipërisë.

Theksojmë se, Policia e Turqisë ka ofruar vitet e fundit vazhdimisht trajnime me tema të ndryshme për oficerët dhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës, etj.

-Koncert  “Trio Ballkanike nga Evrim Kaşıkçı”

Muzikanti dhe këngëtari, Evrim Kaşıkçı, para pak ditëve u takua me shkodranët në institutin turk “Yunus Emre” Shkodër, për të përformuar koncertin e tij “Trio Ballkanike”.

Pas fjalës së hapjes dhe përshëndetëse të drejtorit të këtij instituti, Zafer Kıyıcı, zv/ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş në fjalën e tij theksoi se Evrim Kaşıkçi është një emër tejet i rëndësishëm përsa i përket përpjekjeve të tij për të mbajtur të gjalla dhe për t’i bërë të dashura këngët popullore të Ballkanit dhe veprimtarive të tij me anë të të cilave mundëson takimin e kulturave.

“Kjo nuk është vizita e parë e Kaşıkçı në Shqipëri. Miqësia jonë mbështetet në një kohë të largët. Ai është një fëmijë i Ballkanit, ka lindur në Edirne, një qytet me prejardhje Ballkanike. Edirne është një qytet me rrënjë të forta, i rëndësishëm në gjeografinë e rajonit tonë, një qytet prej ku kanë emigruar shumë. Është një qytet i gëzimeve, pikëllimeve, i gjithçkaje. Prandaj edhe nga ky qytet emocional, kanë dalë shumë artistë, si Kaşıkçı. Ai është një personalitet që e do dhe ndjek Ballkanin…”.

Evrim Kaşıkçı, një emër që ka realizuar shumë koncerte në organizime ndërkombëtare me qëllim promovimin e kulturës popullore turke, u mirëprit me shumë interes dhe duartrokitje nga qytetarët shkodranë.

Koncerti i realizuar me kontributin e BKT-së dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) përfundoi me dhurata dhe fotografime.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives