Prezenca e OSBE-së mbështet parlamentin e Shqipërisë të forcojë lidhjen me qytetarët

Personeli i zyrave të komunikimit me zgjedhësit nga e tërë Shqipëria dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kuvendit u mblodhën në Shkodër, në një takim bashkërendues dhe trajnim.

Veprimtaria u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, me synimin për të përmirësuar aftësitë e stafit të zyrave të deputetëve.

Ditën e parë, pjesëmarrësit diskutuan për ecurinë e zyrave dhe mësuan nga përvoja e njëri-tjetrit. Ditën e dytë, ata morën pjesë në një trajnim të fokusuar te rritja e angazhimit të qytetarëve, afrimi i Kuvendit me të rinjtë, mundësimi i takimeve mes qytetarëve dhe deputetëve, mbajtja e të dhënave dhe përgatitja e vlerësimeve.

Po, ashtu stafi i Kuvendit diskutoi për planet e disa veprimtarive në terren, të cilat do të zhvillohen me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në qarqe si Gjirokastra, Saranda, Vlora, Dibra, Shkodra, Korça dhe Elbasani.

“Ne vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm dhe domethënës të shërbimeve parlamentare. Mbështetja jonë është provë e përkushtimit afatgjatë për të krijuar një marrëdhënie me aktive dhe të shëndetshme mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Shoqëria civile dhe parlamenti kanë filluar të afrohen dhe, duke mbështetur nisma si kjo, ne jemi të vendosur ta ngushtojmë akoma më tej largësinë mes tyre”, tha kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, theksoi se, parlamenti është shtëpia e popullit dhe duhet t’i shërbejë atij edhe përmes zyrave zgjedhore, që janë ura lidhëse. Ai e konsideroi rolin e Prezencës së OSBE-së si të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Për më se një dekadë, Prezenca e OSBE-së ka punuar së bashku me Kuvendin e Shqipërisë për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e tij. Në vitet 2015-2016, Prezenca mbështeti hapjen e zyrave të komunikimit me zgjedhësit në Korçë dhe Shkodër dhe, prej asaj kohe, ka organizuar veprimtari për të konsoliduar besimin dhe bashkëpunimin mes deputetëve dhe komuniteteve vendore.ata

Aktualitet

Archives