Presidenti Meta: Forcim emergjent i masave parandaluese kundër koronavirusit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë apel publik për marrjen e masave emergjente kundër koronavirusit.

Presidenti në mesazhin e thekson se “kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e koronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta. Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëherë Italia kishte vetëm 2 të prekur nga koronavirusi”.

“Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje. Duke vlerësuar: këtë situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale; faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese; rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi; shfaqjen e rasteve të koronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura; në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet”,- thekson Presidenti Meta

“Apeloj,- vijon ai,- është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike; Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24; Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjekësor të mobilizuar për përballimin e situatës; Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjienës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv”,- përfundon Presidenti Meta. ATA

Aktualitet

Archives