Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të paketës “antishpifje”

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të paketës “anti-shpifje”.

Sipas Presidentit, “kjo paketë shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik.

“Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit. Kjo paketë është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, arsyeton Presidenti i Republikës.

Në argumentimin që i bën kthimit të ligjit në Kuvend, presidenti Meta thekson se nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Po ashtu, sipas tij, dispozita të ligjit bien në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit; jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim si dhe nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrojtjes ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë brojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare”, thuhet në argumentet e presidentit.

“Përsa më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare dhe në harmoni me dispozitat e ligjit nr. 91/2019, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të neni 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, në mënyrë që të rivlerësohet së bashku me ligjin nr. 91/2019, prej të cilit kushtëzohen ndryshimet, me qëllim përfshirjen e rregullave strikte për ngritjen e funksionimin e organeve administrative të pavarura, rivlerësimin e nivelit të masave administrative të parashikuara në analizë të realitetit ekonomik në të cilin janë ngritur e funksionojnë ofruesit e shërbimit të medias, rishikimit të procesit të vlerësimit dhe marrjes së masave administrative dhe ekzekutimit të tyre, si dhe rivlerësimin e efektit të drejtpërdrejtë që do të kenë në përditshmërinë e punës së ofruesve të shërbimit mediatik elektronik nga parashikimet e reja ligjore”, përfundoi Meta. ATA

Aktualitet

Archives