Në fund të janarit fillon ndërtimi i 500 banesave në Shqipëri, financim gratis nga qeveria turke

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanistikës, Murat Kurum, tha se ndërtimi i 500 njësive të banimit, sipas udhëzimit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, do të fillojë nga fundi i muajit janar.

Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, u takua me ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Duke folur në konferencë të përbashkët për media pas takimit, Kurum tha se Presidenti Erdogan ka dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe shtoi se vendi i tij që nga momenti i parë pas tërmetit ka bërë përpjekje për të qenë pranë vëllezërve shqiptarë, përmes Ambasadës, ekipeve të shpëtimit dhe institucioneve të ndihmave, përfshi këtu UMKE-në, AFAD-në dhe Gjysmëhënën e Kuqe të Turqisë.

Ai rikujtoi se institucionet turke u përpoqën të plotësojnë nevojat e të prekurve nga tërmeti me tenda dhe ushqime.

“Me tendat që i dërguam sot në mëngjes, ne vendosëm në shërbim të vëllezëve shqiptarë afro 500 tenda gjithsej”, tha Kurum.

Krahas kësaj, vijoi Kurum, Turqia veproi menjëherë pas tërmetit edhe për plotësimin e nevojave shëndetësore për të dëmtuarit nga tërmeti përmes mjekëve, ekipeve dhe personelit shëndetësor.

Ndërkaq, duke folur për 500 njësitë e banimit që do të ndërtohen në Shqipëri, Kurum tha: “Si Ministri, ne i filluam iniciativat zyrtare për këtë qëllim. Bëmë analiza në dy data të ndryshme.”

Ai shtoi se për ndërtimin e banesave janë bërë punime në Tiranë dhe Durrës nga ministri Ahmetaj dhe ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti.

“Me dorëzimin e truallit, siç tha edhe ministri i nderuar, ne së bashku do të fillojmë me ndërtimin e 500 njësive të

banimit deri nëfund të janarit. Ne duam të zbatojmë një projekt me ndërtesa tre ose katërkatëshe, krahas katit përdhes, të përshtatshme me kulturën e Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë, të cilat do ta reflektojnë mënyrën e jetesës nëpër lagje”, tha Kurum.

“Duke filluar nga fundi i janarit, ne shpresojmë të përfundojmë projektin brenda gjashtë muajve dhe t’ia dorëzojmë shtetasve shqiptarë sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi ministri turk.

Kurum rikujtoi se nesër do të nënshkruhet protokolli për projektin me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama,

Ai theksoi se Turqia ka bërë ndërtime të shumta, si banesa, spitale dhe shkolla, në vendet e prekura nga katastrofat me udhëzim të Presidentit Erdogan, “për t’u zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve” pas katastrofave, duke shtuar se Shqipëria është një nga vendet më të rëndësishme për Turqinë me miqësinë dhe vëllazërinë 500-vjeçare.

Kurum paralajmëroi se do të vizitojnë qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe shprehu ngushëllime për viktimat.

– Ahmetaj: Procesi i ndërtimit po vazhdon me hapa të shpejtë

Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj falënderoi qeverinë turke, Presidentin Erdogan dhe popullin turk për solidaritetin e menjëhershëm dhe mbështetjen e ofruar pas tërmetit.

“Përtej ndihmës së parë materiale, që edhe sot kanë vazhduar të mbështesin qytetarët që kanë nevojë për ndihmë emergjente në disa territore të zonës së dëmtuar, qeveria e Turqisë ka marrë angazhimin për ndërtimin e rreth 500 shtëpive të reja në zonën e Laçit, sikurse jemi dakordësuar gjatë kësaj periudhe”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se sot diskutuan më detajisht projektin e ndërtimit, i cili shkon përtej ndërtimit të banesave dhe merr formën e një poli të ri zhvillimi urbano-ekonomik.

“Ndonëse është ende herët, puna për rindërtimin tashmë ka filluar. Projekti mendohet të jetë rreth 500 banesa për qytetarët që kanë humbur shtëpitë në bashkinë e Thumanës dhe zonën e Laçit, të shoqëruar me ambiente komerciale dhe mundësisht edhe me dy ambiente të rëndësishme publike, pra, jemi duke folur për shkollën dhe mundësisht për ndërtesën e Bashkisë së Thumanës”, tha Ahmetaj duke folur mbi detajet e projektit.

Ministri shqiptar i Rindërtimit deklaroi se koncepti është përtej ndërtimit të emergjencës, por një “konceptim urbanistik dhe teknologjik që do t’i mbijetojë kohës në kuptimin e stilit, zhvillimit urbanistik e zhvillimit ekonomik” dhe, siç theksoi ai, në të njëjtën kohë do të jetë një risi nga ana teknologjike që mund të kthehet edhe në model për projektet e tjera.

“Procesi i rindërtimit po vijon me hapa të shpejtë”, tha më tej Ahmetaj duke shtuar se projekti, sipas hapave të diskutuara me palën turke, mendohet të përfundojë rreth muajit korrik.

Ministri turk u takua edhe me ministrin shqiptar të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi. / AA

Aktualitet

Archives