Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dekretoi datën e zgjedhjeve të parakohshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të mbahen më 6 tetor.

Në një njoftim të bërë nga Presidenca e Kosovës thuhet se “duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 6 tetor 2019”.

Bëhet e ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës sё Kosovës është udhëzuar t’i ndërmarrë tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kuvendi i Kosovës më 22 gusht me shumicë votash votoi për shpërbërjen e Kuvendit dhe vendosi të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen muajin e kaluar pasi u thirr nga “Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë” si “i dyshuar”.

Aktualitet

Archives