Presidenti Begaj: Nuk mund të anatemohen shqiptarët si pushtues

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj reagoi sot ndaj deklaratave të ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë.

Në një prononcim për mediet nga qyteti i Kukësit, ku po zhvillon një vizitë, Begaj u shpreh se, “natyrisht unë nuk jam dakord me deklarimet e bëra nga ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk mund të anatemohen dhe të etiketohen shqiptarët si pushtues për faktin që shqiptarët jetojnë dhe punojnë kudo në botë”.

“Shqiptarët janë integruar në shumë vende të botës dhe në Britaninë e Madhe. Kanë ndërtuar jetën e tyre duke paguar taksa në mënyrë të rregullt dhe duke punuar në mënyrë të rregullt. Kështu që nuk është e drejtë të bullizohen në këtë lloj gjëje”, tha ai.

Natyrisht, shtoi Begaj, “ka edhe elementë anësorë të padëshiruar, të cilët mund të kenë lidhje me aktivitete të jashtëligjshme. Por gjithsesi këto nuk janë vetëm shqiptarë”.

“I kam kërkuar qeverisë së Britanisë së Madhe që investimet e saj t’i bëjë në drejtim të këtyre zonave ku ka më shumë emigrantë, për faktin që problemi duhet të evidentohet dhe pas evidentimit të problemit duhet të analizohen shkaqet dhe të gjehen rrugët e duhura për të përballuar këtë lloj gjëje”, theksoi ai.

“Rruga e duhur për mua dhe kërkesë e imja ndaj tyre është e lidhur me faktin që investimet e qeverisë angleze në këtë rajon të bëhen të tilla, që të jenë të prekshme nga qytetarët dhe mos të jenë vetëm në kuadrin e këshillimeve, por të jenë edhe investime që do të bëjnë të mundur që këta qytetarë që ikin për një jetë më të mirë të punojnë dhe të jetojnë në Kukës, të jetojnë e të punojnë në Dibër, apo në Tropojë, apo në Has”, tha Begaj.

“Gjithashtu një kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me faktin e hapjes së një mikrokonsullate angleze në Kukës dhe të bëje të mundur që qytetarët të ikin me viza të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonal”, tha Begaj. ata

Aktualitet

Archives