Përkujtohet myftiu Xhemal Naipi, i dënuar me burg të përjetshëm nga sistemi kriminal komunist

Si sot, më 1 mars të vitit 1889, lindi në Shkodër myftiu Xhemal Naipi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në përkujtim të figurës së tij, solli edhe disa fakte nga jeta dhe veprimtaria.

Myftiu Xhemal Naipi e kreu arsimin fillor e të mesëm në vendlindje, ndërsa u zhvendos drejt Stambollit për të ndjekur studimet e larta në teologji e jurisprudencë. Në mjedisin universitar frekuentonte rregullisht bibliotekat e pasura, duke kultivuar kështu njohuri të gjera mbi kulturën e lindjes.

Pas përfundimit të detyrimeve akademike, u kthye në Shkodër, ku nisi të shërbente si kadi. Në vitin 1916, u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve. Naipi, krahas angazhimit klerikal, radhitej mes figurave protagoniste të ngjarjeve më të rëndësishme në shkallë kombëtare, duke nisur nga shpallja e Pavarësisë e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Në pranverën e vitit 1920, ushtroi funksionet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar (Senatit), të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Ishte ligjvënës përfaqësues i Shkodrës gjatë kohës së Mbretërisë. Për aktivitetin e tij atdhetar në zhvillimet e luftës, u cilësua “antiitalian” dhe u internua në Ceresara të Mantovës, ku u mbajt deri në vitin 1942.

Në kthim, u zgjodh kryetar i Lëvizjes së Legalitetit. Me instalimin e regjimit totalitar, familja Naipi u internua në Berat. Më 7 tetor 1946, Naipi u arrestua dhe u deklarua nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës, fajtor për “pjesëmarrje në organizatë, e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor” dhe për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”. Për këto akuza, u dënua me burgim të përjetshëm, iu konfiskua pasuria e tundshme dhe e patundshme, si edhe humbi çdo të drejtë civile.

Naipi ndërroi jetë në vitin 1955, në burgun e Burrelit. Në shenjë vlerësimi të kontriubutit të tij në çështjet kombëtare, u dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit I”, me rastin e 75-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.

ata

Aktualitet

Archives