Përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi takoi sot Ambasadorin e Spanjës, Marcos Alonso Alonso dhe Ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner.

Në takime u diskutua lidhur me përgatitjen e procesit zgjedhor të datës 25 prill, implementimin e projekteve të teknologjisë së informacionit në zgjedhje, votimin nga jashtë të shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe financimin e partive politike.

Komisioneri Celibashi u shpreh se besimi që ky proces zgjedhor do të jetë i suksesshëm bazohet në bashkëpunimin e ngushtë dhe transparent të KQZ-së me të gjithë aktorët e përfshirë në proces, të cilët janë angazhuar seriozisht duke ofruar mendimet dhe opinionet e tyre.

Ai tha se kjo do të ndikojë pozitivisht në ndryshimin e perceptimit të publikut, lidhur me organizimin e zgjedhjeve.

Celibashi theksoi se KQZ është duke punuar intensivisht në bashkëpunim me aktorët e tjerë, në çdo aspekt të procesit zgjedhor që të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare

Nga ana e tij, Ambasadori Alonso deklaroi së rruga për zhvillimin e procesit zgjedhor është një rrugë me shumë vështirësi dhe zhvillimi i një procesi të drejtë dhe transparent është një arritje e madhe për Shqipërinë. Ai theksoi se Spanja si vend anëtare e Bashkimit Evropian, e mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit.

Ambasadori Steiner theksoi se Austria si një vend që mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka interes lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ambasadori ofroi mbështetje dhe ekspertizë për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve në situatë pandemie.

Aktualitet

Archives