Partitë politike në Kosovë vendosin të shpërbëjnë Kuvendin më 22 gusht

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me përfaqësues të partive politike në Kuvend kanë marrë vendim për shpërbërjen e Kuvendit nëpërmjet një seancë, e cila u planifikua të mbahet më 22 gusht, raporton Anadolu Agency (AA).

Konsensusi i arritur nga Kryesia e Kuvendit, tha kryeparlamentari Veseli, është në interes të qytetarëve. Siç tha ai, shpërbërja e Kuvendit pastaj i jep mundësi presidentit të vendit të caktojë datën e zgjedhjeve.

“E vetmja zgjidhje në momentin kur ka dilema apo situata çfarëdo qofshin ato janë qytetarët e vendit tonë, do të thotë, janë zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por vendim, vendim i duhur për qytetarët e vendit tonë”, tha Veseli.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se seanca e cila do të mbahet më 22 gusht do ta shpërbëjë Kuvendin.

Por para kësaj, ai tha se janë dakorduar edhe që të votojnë projektligjin e IPA-s 2018 (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit), i cili do t’i mundësojë Kosovës marrjen e rreth 90 milion euro fonde nga Bashkimi Evropian (BE) për projekte të ndryshme.

Dakordimin për caktimin e datës për shpërbërjen e Kuvendit e theksoi edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, i cili tha se “mandati do t’i kthehet sovranit, popullit të Kosovës”.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar i Nismës së Kosovës, Biall Sherifi, tha se arsyet e caktimit të datës 22 gusht për shpërbërjen e Kuvendit janë për shkak të kohës që i duhet Misionit Vëzhgues të BE-së për t’u përgatitur për zgjedhje.

“Ju e dini që cilësia e zgjedhjeve është shumë e rëndësishme. Rregullsia po ashtu është e rëndësishme dhe kemi nevojë që këto zgjedhje të mbikëqyren nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, sidomos ai i BE-së, prandaj ramë dakord që kjo datë të jetë 22 gushti”, tha Sherifi.

Kuvendi i Kosovës shpërbëhet me mbështjen e votave nga dy e treta e deputetëve të Shtëpisë Ligjvënëse ose nëse brenda 60 ditëve nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti nuk formohet Qeveria. Shpërbërja po ashtu bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të fundit në Kosovë, Kuvendi i Kosovës u konstituua më 7 shtator të vitit 2017. Ndërsa ai po shpërbëhet për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, pas një ftese për të nga Gjykata Speciale në Hagë.

Aktualitet

Archives