Partitë opozitare sërish në protesta në Tiranë

Partitë opozitare të Shqipërisë sot në Tiranë kanë mbajtur protestën e radhës antiqeveritare, e cila është shoqëruar edhe me disa incidente, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit opozitarë të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë u mblodhën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të vijuar në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë me pankarta me mbishkrimin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”.

Protesta u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në fjalën e tij gjatë protestës, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, u shpreh se “populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike”.

“Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Në këtë orë vendimtare le ti shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores”, tha Basha. Pas fjalës së Bashës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa është shoqëruar me tensione, me përdorimin e tymuese dhe kapsollave nga protestuesit.

Ndërkohë qindra forca policore u angazhuan pranë selisë Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera për të shmangur incidentet gjatë protestës. Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton idenë për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Aktualitet

Archives