OKB-ja e mirëpret një hetim ndërkombëtar për Khashoggin

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se një hetim ndërkombëtar në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi do të ishte i mirëpritur.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me çështjen, zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Elizabeth Throssell, tha se komisarjaMichelle Bachelet tashmë ka theksuar nevojën për një hetim të pavarur, të paanshëm dhe për llogaridhënie në vrasjen e gazetarit Khashoggi.

“Ekspertët ndërkombëtarë duhet të përfshihen në këtë proces duke u mundësuar qasje të plotë në prova dhe dëshmitarë”, tha Throssell, duke folur në lidhje me thirrjen e Turqisë për nisjen e një hetimi të pavarur ndërkombëtar.

“Ne do ta mirëprisnim një gjë të tillë”, shtoi ajo.

Throsell nënvizoi se familja e Khashoggit dhe opinioni publik duhet t’i dinë të gjitha të vërtetat mbi vrasjen dhe drejtësia duhet “medoemos” të vendoset në vend.

Ndryshe, komentet e Throssell vijnë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) më herët kishte deklaruar në një program në televizionin CNN se një hetim ndërkombëtar mbase do të ishte më i dobishëm, pasi, siç tha ai, Arabia Saudite deri më tani nuk i ka ofruar Turqisë informacione dhe bashkëpunim të kënaqshëm.

“Turqia do të bashkëpunonte nëse inicohet hetim ndërkombëtar”, ka thënë kryediplomati turk./trt.shqip/

Aktualitet

Archives