“Njohja e gjuhës turke është një avantazh shumë i madh”

Në kuadër të nismës së takimeve me personalitete për tema të ndryshme, Instituti “Yunus Emre” në Tiranë organizoi një bashkëbisedim me temë: “Përshtypje nga Turqia”, ku e pranishme ishte zëvendësministrja e Kulturës e Shqipërisë, Valbona Shujaku, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në hapjen e aktivitetit ku morën pjesë pedagogë, studiues dhe studentë, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, përshëndeti të pranishmit. Ai falënderoi Shujakun që pranoi ftesën nga Instituti “Yunus Emre” për këtë bashkëbisedim.

Ndërsa zëvendësministrja e Kulturës Shujaku në fjalën e saj gjatë bashkëbisedimit tha se gjuhën turke e ka mësuar që herët në jetë.

Duke folur për mbresat nga qëndrimi i saj në Turqi, Shujaku tha: “Muzeu i Arkeologjisë në Ankara është një prej muzeve më të mira që kam parë ndonjëherë. Që nga radhitja e eksponatave, ndriçimi, vendosja, të gjitha ishin në mënyrë ekselente. Shteti turk bën një investim shumë të madh në kulturën e vet, shpërndarjen e kulturës, por dhe në investimet e ruajtjes së kulturës.”

Për sa i përket qytetit të Stambollit, Shujaku u shpreh se Stambolli ka një energji magjike. “Mënyra sesi respektohet puna dhe sa rëndësi ato i japin asaj për mua ishte një vlerë e shtuar që nuk e kisha përjetuar vetë. Për mua është një vlerë me rëndësi si njerëzore dhe si proces pune dhe që tregon dhe pse është shteti aq i suksesshëm.”, deklaroi Shujaku.

Sipas saj populli turk është i vetëdijshëm për pasuritë që ka dhe dinë shumë mirë ti përdorin ato për të mirën e tyre, për të mirën e ekonomisë dhe zhvillimit të kulturës së tyre.

“Njohja e gjuhës turke në këtë moment është një avantazh shumë i madh për ata që dëshirojnë të kenë qasje në një treg të madh, por në të njëjtën kohë për të gjitha ato pasuri kulturore, të cilat i ka shteti turk. Një element tjetër shumë i dashur për mua është arkivi osman. Në Stamboll është një institucion, i cili është i dedikuar vetëm për arkivat e Perandorisë Osmane dhe ka informacione të shumta për të gjitha shtetet ku kanë qenë osmanët në atë kohë”, tha Shujaku.

Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, ka organizuar në të kaluarën disa bashkëbisedime të ngjashme me tema të ndryshme, si “Marrëdhëniet turko-shqiptare”, “Turqizmat e përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, “E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e turqishtes në Shqipëri”.

Aktualitet

Archives