Në Tiranë ndahen çmimet shkencore kombëtare

Përmes një ceremonie të organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u shpallën fituesit e çmimeve shkencore kombëtare për edicionin e tretë për vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, akademikë dhe studiues. 

Çmimin kërkuesi i ri më i suksesshëm e mori Prof. Asoc. Belisa Muka dhe Prof. Asoc. Giuseppe Leppore, për veprën “La necropoli di Phoinike. Le tombe ellenistiche e romane”. 

Pasi i dorëzoi çmimin, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti tha se është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë që i hyjnë rrugës kërkimore mos të ngelin në nivelin sipërfaqësor të dijes, duke zgjedhur një punë e cila nuk i jep frytet menjëherë, por sipas saj, falë vullnetit të tyre do të vlerësohet patjetër. 

Sipas Margaritit, kjo ceremoni ndarjesh çmimesh tregon se puna, vullneti e sakrifica vlejnë dhe shtoi se “Serioziteti i tyre na vë para përgjegjësisë për të qenë akoma dhe më mbështetës ndaj këtyre të rinjve”. 

“Jam dyfish e kënaqur që vepra fituese i kushtohet Finiqit, qyteti antik ku Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka bërë ndërhyrje me projekte. Dy vjet më parë u rikonceptua e gjithë struktura e parkut dhe shumë shpejt pritet që të hapen ekspeditat e radhës me shpresën që të tjera pasuri të fshehta të këtij qyteti do të dalin në dritë dhe do jenë akoma më tepër pjesë kërkimore për të rinj të e tjerë që do t’i afrohen studimeve”, deklaroi Margariti. 

Përmes këtij botim, vijoi më tej Margariti, Finiqi fiton më shumë njohje dhe na bën më të përgjegjshëm që t’i përgjigjemi më tepër kërkesave të arkeologëve, studiuesve dhe turistëve që duan të vizitojnë vendin tonë. E shikoj si një përgjegjësi të madhe dhe mbështete atë që na japin partnerët tanë të huaj. 

Çmimi “Radovicka” për veprën “Atlas i Florës së Shqipërisë” e mori akademik Jani Vangjeli, ndërsa çmimin e karrierës e mori akademik Luan Omari. 

Çmimet ndahen nga Akademinë e Shkencave e Shqipërisë, me fokus karrierën akademike, veprat më cilësore origjinale monografike, dhe studiuesit e ri më të suksesshëm. 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e themeluar më 1972, është institucioni më i rëndësishëm shkencor në vend dhe përfshin studiues dhe akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore. 

Aktualitet

Archives