Në Shqipëri vendoset vaksinim i detyrueshëm për mjekët, arsimtarët e studentët, ndryshon ora policore

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme vendosi marrjen e disa masave shtesë për përballimin e pandemisë së COVID-19, ndër të cilat vaksinimin e detyrueshëm për mjekët, arsimtarët dhe studentët.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. dr. Mira Rakacolli deklaroi sot në konferencën për shtyp se “Komiteti Teknik i Ekspertëve ka ndjekur me vëmendje dinamikën e situatës në Shqipëri dhe në vendet në rajon, Evropë dhe botë, ku vihet re rritje e numrit të rasteve të reja ditore në vendin tonë”.

“Indikatorët gjatë kësaj jave kanë treguar tendencë përkeqësimi për sa i përket numrit të rasteve ditore që nga 86 për 100 mijë banorë, kanë shkuar në 300 për 100 mijë banorë, një rritje e ndjeshme kjo”, tha ajo.

Në këtë drejtim, ajo tha se “për parandalimin e përkeqësimit të situatës, nga data 1 shtator ora policore shkon në 23:00-6:00, nga 24:00-6:00 që ishte deri tani”.

Po ashtu, Rakacolli tha se nga data 6 shtator, qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare, duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit, ku datat e vaksinimit të plotë duhet të jetë jo më vonë se dy javë para hyrjes, ose një test PCR negativ brenda 72 orëve, ose provë të kalimit të COVID-19 të vlefshme për 6 muajt e fundit.

Këto masa, sipas Rakacollit, vlejnë edhe për qytetarët tranzit, ndërkohë që përjashtohen  fëmijët nën moshën 6 vjeç.

Ndërkohë, Rakacolli tha se qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri që kthehen në vendin e tyre nga një udhëtim, nëse nuk plotësojnë njërën prej këtyre kushteve duhet t’i nënshtrohen karantinës për 10 ditë, dhe në përfundim të afatit duhet të kryejnë një test.

Lidhur me rekomandimin e vaksinimit të detyruar, Rakacolli tha se ai do të kryhet për grupet më të rrezikuara siç janë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët.

“Deri në datën 30 shtator, ata duhet të dorëzojnë vërtetimin në qendrën e punës, ndërsa studentët duhet të paraqesin kopjen e kartës së vaksinimit. Pas kësaj date për ata që nuk e kanë kryer vaksinën do të kërkohet paraqitja periodike e testit negativ PCR. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor, e vërtetuar kjo nga mjekët specialistë”, shtoi Rakacolli.

Ajo u bëri thirrje studentëve të vaksinohen brenda muajit shtator, që procesi mësimor të zhvillohet në auditor. Ndërkohë, Rakacolli theksoi se penalitetet do të fillojnë pas datës 30 shtator.

“Në aeroporte hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarët. Po ashtu, qëndron në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, si qendra tregtare, supermarkete, institucione apo biznese. Kur nuk zbatohen masat e rekomanduara për mbajtjen e maskave aplikohen penalitete si gjobë 3 mijë lekë për personat që rezultojnë me shkelje për herë të parë dhe 5 mijë lekë për qytetarët me shkelje të përsëritur. Ndërsa për bizneset masa e penalitetit shkon nga 100 mijë deri në 700 mijë lekë”, tha Rakacolli.

E pyetur mbi situatën e COVID-19 te fëmijët, Rakacolli tha se “ka një shtim të numrit të rasteve të fëmijëve, por fëmijët nuk janë rëndë”.

“Janë vetëm 8 fëmijë në spital dhe nuk janë në gjendje të rëndë, kanë një klinikë më të lehtë sesa dimrin e kaluar. Nuk vihen re komplikacione”, tha Rakacolli.

Masat e reja antikovid:

– Duke filluar nga data 1 shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00.

– Duke filluar nga data 6 shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

– Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.

– Vlerësohet që shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

– Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik.

– Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.

– Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë, dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar. Ata

Aktualitet

Archives