Në qershor 2020 shpallet paketa e rimëkëmbjes ekonomike për të gjithë sektorët

 Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare do të ketë një rimëkëmbje gjatë gjysmës së dytë të vitit, por nuk do të mund të shkojë në parametrat e planifikuara në fund të vitit 2019.

“Ministria e Financave është duke punuar për Aktin e dytë Normativ, atë të buxhetit të rishikuar, i cili do të zgjerojë në kalkulimet e tij dhe në efekte, sidomos ato të kuadrit makro-fiskal, me një parashikim më afër të atij realitet që mundet ky vit të përballojë, si diference e të ardhurave më të lartë se sa ajo e parashikuar në muajin mars”, tha Denaj e pranishme në Komisionin e Ligjeve.

Kjo diference dhe kjo nevojë, tha ajo, do të çojë në një defiçit më të zgjeruar dhe për këtë arsye rishikimi i Aktit Normativ në qershor do të na japë një pasqyrë të saktë.

Sipas Denaj, rishikimi vjen si rezultat i një ulje më të madhe të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, të cilat në muajin mars ishin -20 miliardë lekë dhe si periudhë 4 mujore rezultuan -19.1 miliardë lekë.

Në mars, bëri të ditur Denaj, defiçiti buxhetor u zgjerua me gati 2-fish duke shkuar në -3.9% dhe në vlerë absolute 68.6 miliardë lekë.

Denaj u shpreh më tej se kjo është një situatë që gradualisht mund ta rikuperojmë në gjysmën e dytë të vitit me hapjen e ekonomisë. Por shtoi ajo nuk mund të kthehemi në parashikimet e asaj që kishim planifikuar në fund të vitit të kaluar për rritjen e ekonomisë, e cila edhe kjo do të rishikohet me ulje.

“Është parashikuar një reçesion diku në parafërsi me parametrat e FMN. Më të goditur në sektorin e prodhimit janë shërbimi dhe turizmi, efekti i të cilit do të ndihet edhe në tremujorin e tretë, ku në këtë periudhë ndikimi më i madh në rritjen ekonomike vinte pikërisht nga ky sektor”, u shpreh ministrja Denaj.

Edhe sektori i prodhimit, tha ajo, ka pësuar ndikim si në raport me qarkullimin edhe me elementë të tjerë, sidomos në raport me numrin e punësimit.

“Gjatë muajit qershor do të shpallim platformën e rimëkëmbjes ekonomike për të gjithë sektorët. Paketa e tretë, ajo e rimëkëmbjes ekonomike post-COVID është e rëndësishme për të adresuar këto nevoja dhe për të prioritizuar projektet më të rëndësishme të qeverisë Rama”, u shpreh ministrja.

ATA

Aktualitet

Archives