COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja në Tiranë, asnjë rast në zonat e tjera

Në 24 orët e fundit janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha sot në komunikimin e përditshëm se “vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve të reja të prekur me COVID-19 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja.  Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere, e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit”.

“Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend”, – tha Beqo.

Sipas saj, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale.

“Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, – tha Beqo.

COVID-19 – Statistika (27 Maj 2020)
Testime totale 15094
Testime molekulare 13768
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1050
Raste të shëruara 812
Raste Aktive 205
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 101
Durrës 51
Krujë 23
Shkodër 12
Kamëz 9
Berat 6
Fier 2
Korçë 1

ATA

Aktualitet

Archives