Musine Kokalari, dëshmi madhështore e dinjitetit njerëzor në kohën e kolerës ideologjike

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, Musine Kokalarin, e cila sipas tij, “la pas një kujtim frymëzues për çdo vajzë e grua të këtij vendi, e një dëshmi sa të dhimbshme aq edhe madhështore të dinjitetit njerëzor në kohën e kolerës ideologjike”.

“Musine Kokalari jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë. Jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt, që Naimi, aq i dashur e themelor për të, e ktheu në imazhin ikonik të dhënies së gjithçkaje për të gjithë, si kusht për “të sjellë pakëz dritë””, tha Rama.

Drita që rrezatoi Musineja dhe idetë e saj, sipas tij, “i ranë ndesh errësirës që atëmot ishte në gllabërim e sipër të gjithkujt që ishte ndryshe, që ngjante ndryshe e që fliste ndryshe”.

“Vajza e bukur, që dha frymën e fundit kur ishte një grua e sfilitur në një pavion spitali pa histori, në Rrëshen, me 13 gusht 1983, la për historinë një ikonë me tre hipostaza: atë të vajzës së emancipuar dhe zonjë të fateve të veta, në dritën e rinisë; atë të gruas së përkushtuar ndaj përparimit të shoqërisë, me një vështrim largpamës drejt lirisë shoqërore, e njëkohësisht qasje kokëulur drejt më të dobëteve në shoqëri; atë të zonjës së lartë, kryengritëse e të papërkulur për të vërtetën e për drejtësinë edhe nën peshën e torturës dhe të kërcënimit prej asgjësimit fizik”, tha Rama.

“Pioniere e social-demokracisë prej zjarrit që ndez dashuria për njerëzit pa dallim, plot hir në pamje e gjithaq talent në të shkruar, Musineja u bë delja e zezë e regjimit që tek bukuria femërore shihte një arsye për të dyshuar, e tek shpirti krijues një rrezik për t’u eliminuar”, shtoi ai.

Rama tha se “ajo grua e sakrifikuar në altarin e dashurisë për vendin, njerëzit e për lirinë e të menduarit sidomos, u tret si qiriri për të lënë pas një kujtim frymëzues për çdo vajzë e grua të këtij vendi, e një dëshmi sa të dhimbshme aq edhe madhështore të dinjitetit njerëzor në kohën e kolerës ideologjike”. Ata

Aktualitet

Archives