Mjekët nga Shqipëria dhe Kosova, punësim respektiv në spitalet ndërkufitare

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e shëndetësisë.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi se marrëveshja e parë konsiston në shërbimin shëndetësor në zonat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kjo është një marrëveshje e shumëpritur pasi ne formalizojmë një marrëdhënie të kahershme të shërbimeve që shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës marrin respektivisht në spitalet e Kukësit, Gjakovës, Hasit, Tropojës dhe Prizrenit. Duke formalizuar këtë marrëveshje ne krijojmë mundësinë që mjekët tanë të punësohen në periudha të caktuara pranë spitaleve tona”, tha ajo.

Sipas Manastirliut, “dy janë sfidat e dy vendeve, të kemi një shërbim mjekësor cilësor dhe që profesionistët e shëndetit t’i mbajmë brenda kufijve tanë”.

“Përmes kësaj marrëveshje ne garantojmë që profesionistët e shëndetit të dy vendeve të punësohen fillimisht në spitalet ndërkufitare, dhe më pas në spitalet e tjera”, tha Manastirliu.

Ndërsa marrëveshja e dytë, sipas saj, synon një zhvillim të tregut farmaceutik.

“Dy agjencitë e barnave dhe pajisjeve mjekësore të dy vendeve do të unifikojnë protokollet, gjë që garanton korridore të shpejta të furnizimit me barna të rralla. Nëse i ka një vend do t’i ketë edhe vendi tjetër. Por eksplorojmë edhe mundësinë për të fuqizuar kapacitetet negociuese me kompanitë multinacionale për të pasur një fuqi më të madhe në garantimin e shërbimeve farmaceutike”, tha ministrja.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, u shpreh se përmes nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve në fushën e shëndetësisë zgjerohen fushat e bashkëpunimit mjekësor dhe rritet cilësia e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët.

“I hapim rrugë 3 qëllimeve të rëndësishme strategjike: organizimit të shërbimeve të përzgjedhura shëndetësore nga mjekët e dy vendeve; ofrimin e shërbimeve të urgjencës kirurgjikale dhe mjekësore për shtetasit e zonave kufitare, si dhe shkëmbimin e ekspertëve mjekësorë për menaxhimin klinik të rasteve”, tha ai. ata

Aktualitet

Archives