MinistrjaDenaj: Përmirësimi i klimës së biznesit lidhet me proceset legjislative

Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE), organizoi takimin me temë “Ecuria në kuadër të luftës kundër korrupsionit-biznesi dhe lufta kundër korrupsionit”, me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, përfaqësueseve të shoqatave të biznesit dhe institucioneve të tjera, përfshirë edhe nga Fondacioni Turk Maarif, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, në fjalën e saj në takim tha se procesi i reformave ka nisur prej kohësh në shumë sektorë strategjik të cilët prekin ekonominë.

“Përmirësimi i klimës së biznesit lidhet shumë me këto procese legjislative, duke filluar me fokusin që i vihet raportimit financiar të shëndetshëm dhe transparent në çdo biznes qoftë vendas apo i huaj. Jemi angazhuar që t’i shërbejmë mirëqeverisjes së korporatave dhe të reduktojmë qasjen korruptive në disa aspekte lidhur me luftën kundër evazionit dhe informalitetit”, tha Denaj.

Sipas saj pjesa juridike dhe legjislative nuk mjafton për të luftuar korrupsionin. “Duhen instrumente të tjerë, të cilët të jenë në kohë reale dhe të saktë. Në këtë aspekt prej muajsh ne jemi përfshirë në një proces të rëndësishëm, atë të ligjit të fiskalizimit, i cili do të ndihmojë administratën tatimore të marrë të dhëna në kohë reale të të gjithë marrëdhënies së biznesit në raport me administratën tatimore. Synimi është që në vitin 2021 i gjithë procesi i informacionit përmes faturimit të jetë elektronik, e cila do të ushtrojë një presion drejt qasjes së pasqyrimeve financiare reale”, u shpreh Denaj.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj tha se takimi zhvillohet në kuadër të një nisme të re për javën e integritetit që përkon me një sërë aktivitetesh.

“Do të jetë një javë e mbushur me plot aktivitete, të cilat do të kenë në thelbin e tyre gjithëpërfshirjen. Që do të thotë do të jenë disa aktivitete, ku do të kemi mundësinë të diskutojmë nëpërmjet tryezave me shoqërinë civile, shoqatat e biznesit,me median, studentë e pedagogë. Do të diskutojmë jo vetëm për fenomenin e korrupsionit, por edhe për masat me qëllim që të arrijmë rezultatet që presim”, tha Gjonaj.

Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet partive politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Aktualitet

Archives