Ministri turk Çavuşoğlu: Haftar më nuk ka legjitimet në Libi, nuk duhet të jetë në tryezë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se lideri i forcave jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, më nuk ka legjitimet dhe nuk duhet marrë si palë në tryezën e bisedimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një program në CNN Turk, shefi i diplomacisë turke deklaroi se përpjekjet për armëpushim në Libi të zhvilluara në Moskë dhe Berlin nuk kanë prodhuar rezultate për shkak të qëndrimit të Haftarit.

Ai tha se Haftari këtë qëndrim e mbante për shkak të fitimeve në terren, duke shtuar se ekuilibrat në terren tashmë kanë ndryshuar.

“Haftar më nuk ka asnjë vlefshmëri. Gjithsesi, ai edhe më parë nuk kishte legjitimitet. Tani e tutje, asnjë puçist si Haftari, asnjë person që thotë se ‘në vend të armëpushimit po zaptoj pushtetin’, nuk duhet të jetë në tryezë. Tani e tutje, ai nuk duhet të konsiderohet as si palë”, tha Çavuşoğlu.

Ushtria libiane kohët e fundit u ka shkaktuar goditje të rënda forcave të Haftarit, duke çliruar qytetet Tripoli dhe Tarhuna, si dhe vende të tjera strategjike, përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Aktualitet

Archives