Meta: Nëse nuk respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e diela e 25 prillit do të kthehet në referendum

Presidenti Ilir Meta e cilësoi votimin e djeshëm në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një mur kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në një intervistë televizive, Meta tha se “Presidenti ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Nëse nuk do të ketë reflektim, është i vendosur në shpartallimin e kësaj përpjekje për vendosjen e një junte”.

“Presidenti ka disa vjet që paralajmëron për plotësimin e kushteve për integrimin europian. Ka qenë Bundestagu, institucioni më i rëndësishëm në rrugën e integrimit dhe sigurisht ky akt kaq i shëmtuar që ndodhi dje, duke shkelur një marrëveshje, e cila në vetvete nuk ishte një gjë e madhe pasi nuk duhet të vihen në diskutim. Ajo mori jehonë ndërkombëtare, do të thotë se është shumë e qartë që akti i djeshëm synon të hedhë në erë pluralizimin politik në Shqipëri dhe vendosja e një muri kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”,- nënvizoi Meta.

Presidenti Meta theksoi se ” marrëveshja e 5 qershorit është shkelur, sepse nuk ka ndodhur që rregullat e lojës që të vendosen nga vetëm një palë, sepse mazhoranca nuk është e përjetshme. Kodi Zgjedhor është vendosur gjithmonë me konsensus më parë, se nuk po flas me këtë farë parlamenti. Kjo nuk është më demokraci, por një ftesë për rikthim në diktaturë”.

“Kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta nxjerrë vendin nga shinat europiane. Pasojat e kësaj historia janë që vendi ynë ka qenë para Serbinë dhe Malit të Zi, ndërsa sot dihet se ky është Serbia dhe Ky është Shqipëria. Nuk bëhet fjalë që negociatat të mos hapen as pas zgjedhjeve”, – theksoi Meta.

Meta u shpreh se “Shqipëria është kryetare e radhës e OSBE-së dhe kryetari pengon ekspertizën e OSBE/ODHIR për zgjedhjet. Nuk ka situatë më absurde. Për KE negociatat duhet të ishin hapur një 3 herë deri më tani, por ata masin rezultate në terren”.

Sa i përket publikimit të 97 emrave të deputetëve, të cilët votuan dje pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, presidenti Ilir Meta, u shpreh se përgjegjësia është individuale dhe gjithësecili do të duhet të përgjigjet për veprimet e tij.

I pyetur se se kush do ta garantojë votën për shqiptarët më 25 prill, Meta tha se nëse nuk respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e diela e 25 prillit do të kthehet në referendum.

Ata

Aktualitet

Archives