Meta në SHBA: “Drejtësia” në fazën përfundimtare

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u takua me ndihmësasistent Prokurorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Bruce Swartz. Gjatë këtij takimi, Meta konfirmoi se në Shqipëri shumë shpejt do të miratohet reforma në drejtësi. Në këtë kuadër, kryeparlamentari rikonfirmoi angazhimin e tij për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kuvend, duke vlerësuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, si dhe punën e paanshme dhe profesionale të misioneve EURALIUS dhe OPDAT. Gjatë diskutimit për fazën zbatuese të kësaj reforme, dhe duke iu përgjigjur interesimit të Uashingtonit për këtë reformë, Meta nënvizoi se për ngritjen e institucioneve të reja që parashikohen nga paketa kushtetuese, përfshirë këtu edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndihma dhe asistenca e SHBA për monitorimin e zbatimit të saj është jashtëzakonisht e rëndësishme. Me rëndësi të veçantë, theksoi ai, është edhe rritja e kapaciteteve të hetimit të pavarur dhe profesional. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të përballimit të krizës së refugjatëve dhe nevojës për një koordinim më të mirë mes vendeve, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të informacionit mes agjencive të inteligjencës dhe atyre të zbatimit të ligjit për të parandaluar infiltrimin e terroristëve mes refugjatëve që janë larguar nga vendet e tyre për arsye humanitare. Por gjatë këtyre takimeve, Ilir Meta është shkëmbyer edhe me ish-ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Aktualitet

Archives