Meta: Çështja çame, plaga më e thellë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Greqi, ka folur për çështjet që ka ngritur gjatë takimeve me zyrtarët e lartë grekë, në një intervistë për “Ora News”…

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Greqi, ka folur për çështjet që ka ngritur gjatë takimeve me zyrtarët e lartë grekë, në një intervistë për “Ora News”.

Në intervistë, Meta u kthen përgjigje kritikave, që i janë bërë në lidhje me çështjen çame për mënyrën sesi ajo u trajtua nga kryeparlamentari gjatë bisedave, që zhvilloi me homologun, presidentin dhe kryeministrin e Greqisë.

Kryeparlamentari shqiptar flet gjatë intervistës edhe për ligjin e luftës dhe rëndësinë e abrogimit të tij nga pala greke, por edhe për cështjen e shumëdebatuar në Shqipëri, atë të varrezave të ushtarëve grekë.

Z. Meta, me takimin me Kryeministrin Tsipras përmbyllët një vizitë dyditore në Athinë. Cili ishte qëllimi i takimeve tuaja në këtë vizitë?

Meta: Qëllimi ishte i qartë, për t’i dhënë një hov të ri marrëdhënieve mes dy vendeve, në veçanti mes dy parlamenteve. Vetë takimet me gati të gjitha forcat parlamentare në Greqi synonin në krijimin e një klime sa më pozitive në politikën e dy vendeve në mbështetjen e politikave të përbashkëta, në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë, pasi dihet që këto janë marrëdhënie të rëndësishme, që janë përgjegjësi jo vetëm e qeverive, por e të gjithë klasës politike; sepse janë të interesave strategjike afatgjata dhe kërkojnë dhe angazhimin e opozitave në vendet respektive.

Mendoni se me një shikim nga e ardhmja mund të zgjidhen çështjet e mbetura pezull?

Meta: Çështjet e trashëguara mund të zgjidhen vetëm me shikim nga e ardhmja. Çdo politikë tjetër për t’i zgjidhur ato në mënyrë të njëanshme, imponuese, konfliktuale, nuk sjell zgjidhje, se zgjidhja duhet të jetë e dyanshme, por krijohen 100 probleme të tjera.

Pasi dihet që marrëdhëniet mes dy vendeve sot janë jashtëzakonisht të lidhura, jo vetëm ekonomike apo politike, por edhe njerëzore, familjare, lidhje që kanë të bëjnë me çdo familje, dhe e parë në këtë këndvështrim vetëm konsolidimi i një terreni të qëndrueshëm pozitiv, do të bëjë të mundur trajtimin me kujdes të çështjeve që bartim nga e kaluara.

Jo rastësisht në takimin me Tsipras theksova se të gjithë popujt e këtij rajoni, përveçse kanë bashkëjetuar, kanë pasur edhe plagë midis tyre dhe plagën kur e përkëdhel të dhemb, jo më kur e ngacmon.

Mendoj se është e rëndësishme qasja pozitive. Ne kemi disa vlera të përbashkëta themelore, jemi anëtarë të NATO-s, Greqia është anëtare e BE-së, ndërsa ne jemi kandidatë dhe njëkohësisht vend që aspiron. Pra kemi përkatësi të përbashkët evropiane. E rëndësishme është mirëbesimi e respekti reciprok dhe gjenden të gjitha instrumentet e duhura për t’i zgjidhur këto probleme.

Z. Meta, me Kryeministrin Tsipras ju ofruat shembullin e plagës. A ishte në fakt një mesazh për Athinën zyrtare apo për kritikat në Tiranë? Kujtojmë se aleati më i ri i mazhorancës, Shpëtim Idrizi, ishte mjaft kritik me qëndrimin e zbutur që ju mbajtët për çështjen çame.

Meta: Mendoj se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit tim ndaj çështjes çame. Ky qëndrim është bërë i ditur prej kohësh. E theksoj edhe një tjetër herë se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, as nga unë dhe asnjë nga një përfaqësues tjetër i Shqipërisë, madje as nga e gjithë Shqipëria së bashku për të qenë realist; zgjidhja e çdo çështjeje që mbartet nga e kaluara kërkon një mirëkuptim të dyanshëm. Asnjë zgjidhje nuk vjen në mënyrë të njëanshme dhe për këtë duhet një klimë sa më pozitive në këto marrëdhënie. Kjo çështje duhet trajtuar si domosdoshmëri për t’i përmirësuar më tej marrëdhëniet me Greqinë në të ardhmen, në një plan më afatgjatë dhe strategjik dhe jo thjesht për t’i konfrontuar këto marrëdhënie. Mendoj se është shumë e rëndësishme qasja ndaj këtij problemi dhe akoma më i rëndësishëm se retorika është rruga e instrumenteve, që do të ndihmojë në zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve të përzënë me forcë nga trojet e tyre, ku një e drejtë e padiskutueshme është ajo e pronës.

Z. Meta, a mund të ishit ju më konkret apo më i qartë në artikulimin e çështjes çame në Athinë. Kujtoj se në vitin 1999 ju keni këmbëngulur për këtë çështje duke kërkuar zgjidhje.

Meta: Unë besoj se kjo nuk ka të bëjë aspak me qartësinë time, sepse ajo vazhdon të jetë e njëjta, por unë besoj se në kontekstin e marrëdhënieve të sotme midis dy vendeve duhet investuar më tepër energji pozitive për të rritur mirëbesimin midis dy vendeve tona, midis gjithë institucioneve, por edhe të opinionit publik. Mendoj se kjo do të ndihmojë edhe për trajtimin e suksesshëm të çështjes çame në të ardhmen dhe të çështjeve të tjera. Këtu nuk bëhet fjalë për protagonizëm spekulativ, i cili thjesht mund të bëjë një lajm të përleshëm për disa të themi sot, por që nuk ndihmon në krijimin e asaj klime për të zgjidhur problemet e të shkuarës.

Z. Meta, ju flisni për marrëdhënie reciproke mes palëve. Kur ju nisët vizitën në Athinë, ministri i Jashtëm grek i dërgoi një letër komisionerit Hahn, ku i theksoi dhe i shprehu se nuk do të njihej kurrë çështja çame. Duke qenë kaq konstruktivë Shqipëria dhe Greqia mendoni se do zgjidhen çështjet e mbetura pezull?

Meta: Mendoj që Shqipëria dhe shqiptarët çdo çështje mund ta zgjidhin vetëm në mënyrë konstruktive. Sepse mendoj që fuqia e Shqipërisë qëndron në planin rajonal dhe ndërkombëtar. Shqipëria gjithnjë është vlerësuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ky është vlerësimi më i rëndësishëm për Shqipërinë nga BE-ja, NATO-ja e SHBA-ja. E nëse Shqipëria humbet këtë vlerësim, atëherë mendoj se dobëson pozitat e saj për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të saj për çdolloj çështje që lidhet me qytetarët tanë. Apo dobëson për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi a kudo tjetër.

Z. Meta, ju pamë që u fokusuat më shumë tek ligji i luftës dhe kërkesa për heqjen e ligjit të luftës. A është kjo një strategji për t’i hapur rrugë dhe çështjes çame ndoshta për një këndvështrim më shumë ndoshta diplomatik?

Meta: Besoj që heqja formale e ligjit të luftës do të ishte pozitive për të avancuar me të gjithë instrumentet e duhura që zgjidhin shumë çështje nga e kaluara.

Për sa i përket varrezave të ushtarëve grekë, ju diskutuat me presidentin grek; por a i premtuar atij diçka për këtë çështje?

Meta: Kjo nuk është një çështje premtimi. Greqia e ka një shqetësim në këtë drejtim. Ekziston një marrëveshje mes dy vendeve, është bërë një punë në këtë drejtim, më pas është ndërprerë për shkak të disa shqetësimeve në një fshat të Përmetit dhe në këtë drejtim, ne, si vend evropian dhe anëtar i NATO-s, do të respektojmë detyrimet ndërkombëtare.

Aktualitet

Archives