Mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit/ Kryeministri Rama: Të bashkuar për t’u ringritur

Kryeministri Edi Rama ka krijuar Komitetin Kombëtar të Rindërtimit pas tërmetit dhe në mbledhjen e parë të zhvilluar sot në tryezën e Këshillit të Ministrave marrin pjesë përfaqësuesit e qeverisë, organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, nga sipërmarrja, përfaqësues të bankave, të inxhinierëve, arkitektëve dhe urbanistët.

Duke shprehur mirënjohjen e të gjithëve për gatishmërinë, Rama theksoi se është e rëndësishme që të përcjellim mesazhin tek njerëzit se në këto moment njerëzit janë të parët dhe fatkeqët janë prioritet i prioriteteve gjë që që u pa shumë qartë që në orët e para pas fatkeqësisë së madhe ku u mobilizua i madh dhe i vogël për të bërë atë që mundej.

“Ky Komitet ngrihet për të qenë një institucion që do të shoqëroj gjithë procesin e adresimit të plagëve dhe të kurimit të tyre deri në momentin kur programi i rindërtimi do jetë i përfunduar. Besoj që të gjithë bashkë duhet të biem dakord për transparencën në përdorimin e të gjitha të ardhurave për kurimin e këtyre plagëve dhe programin e rindërtimit. Qeveria është përgjegjëse për buxhetin e shtetit dhe atë që do të vendosë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Edhe buxheti që do të vendoset në dispozicion  të programit duhet të monitorohet nga një mekanizëm transparence që do të vendosim së bashku, ashtu sikur edhe fondet e mbledhura nga organizatat për njerëzit në nevojë dhe ato që do të vijnë si kontribute nga miqtë e Shqipërisë”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

Rama tha se “ky komunitet është garanci para shqiptarëve dhe miqve tanë se programi i rindërtimit do të jetë frut i gjithë kontributeve që nga ata që kanë derdhur shuma të mëdha deri tek ai zotnia në Medvegjë që vuri në dispozicion një shumë nga pension i tij”,

Më tej Rama tha se “do të doja të ishte këtu edhe opozita, janë gjithmonë të mirëpritur, nuk kemi çfarë të ndajmë dhe dallimesh të kërkojmë te njëri-tjetri. Ajo që ndani me mua besoj është barra kolosale e kësaj sfidë që është shumë e vështirë jo vetëm në aspektin financiar për në të gjitha hallkat e veta. Nuk është e thënë që nëse ke fondet arrin sukses nëse nuk organizohemi siç duhet ato fonde që kemi e do të kemi në dispozicion.  Të bëjmë çmos që të ulim në maksimum shfaqjet sporadike dhe të japim mesazhin për të gjithë që të kanalizojmë kontributet  përmes këtij komiteti që është garant i të gjitha palëve” .

Gjithashtu, Rama theksoi se sot se ka ftuar edhe arkitektë të huaj për rindërtimin e banesave që janë shembur nga tërmeti.

“Kryetari i Komitetit Ahmetaj është përgjegjës për të sjellë një rend dite dhe për të informuar Komitetin. Ajo që ne duam të imponojmë është që të bëjmë maksimumin dhe mos të ketë veprime sporadike. Mua nuk më pëlqen ideja që në këtë situatë të çohet njëri dhe niset me zemër të mirë dhe bën një shtëpi, pa qenë paraprakisht i dakordësuar mbi një plan dhe disa standarde. Në mbledhjen e ardhshme do të kemi shumë informacion. Kemi ftuar edhe arkitektë të huaj për të krijuar një masë projektesh mbi disa standarde. Në këto shtëpi të rrënuara duhet të çojmë një standard të ri për jetën e re që do të nisë” tha ai.

ATSH

Aktualitet

Archives