Masa antiCovid në çdo shkollë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “të gjitha institucionet arsimore në vend po marrin masa, duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit”.

Në një komunikim me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave arsimore vendore, Rama tha se “jemi në një sfidë të jashtëzakonshme jo thjesht për të filluar, por për të vazhduar dhe mbaruar një vit shkollor që kalendarikisht do të jetë si të tjerët, por shumë herë më i gjatë dhe i vështirë se gjithë të tjerët”.

“Ndaj pas trajnimeve të vazhdueshme, pajisjen në bazë materialesh të nevojshme ku shtohen detergjentët, dorezat, maskat, dezinfektantët me bazë klori do të ketë edhe një person të dedikuar nga sistemi i Shëndetit Publik pranë shkollës. Procesi i vendosjes së vijëzimeve të nevojshme në oborret e shkollave po përfundon dhe sigurimi i distancës fizike 1.5-2 m është domosdoshmëri”, tha Rama.

Ai theksoi se “është absolutisht e domosdoshme të kuptohet drejt dhe thellë nga gjithë personeli i sistemit tonë arsimor se këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur në rresht persona adultë, burra dhe gra, djem dhe vajza që janë në moshën e tyre të pjekurisë, por këtu bëhet fjalë për të disiplinuar sjelljen në mjedisin social të një grupi moshash shumë delikate”.

“Prandaj është e e domosdoshme që ky proces të kryhet me përkushtim të madh, durim dhe jo me britma e masa shtrënguese. Ne kemi lindur e jemi rritur në familje ku na kanë thënë sa e rëndësishme është të japësh dorën kur përshëndetesh, të socializohesh me të tjerët dhe sa e rëndësishme është të kuptosh që tjetri është si ti. Kjo që duhet të bëjmë për fat të keq është t’i biem ndesh pikërisht parimit fillestar të jetës së njeriut. Distancimi social bie ndesh me këtë parim, por nëse për ne të rriturit kjo është lehtësisht e kuptueshme nga pikëpamja logjike, edhe pse jo gjithmonë lehtësisht e zbatueshme, kjo nuk ndodh për moshat që fillojnë shkollën, sidomos ato më të vogla”, tha Rama.

Rama tha se “ne kemi dyfishuar punonjësit e shërbimit psiko-social dhe kemi shtuar mbështetjen për nxënësit me aftësi të veçanta me staf shtesë”. “Kemi vendosur transport për 3 mijë nxënës të shkollave të mesme në zonat e prekura nga tërmeti që lëvizin mbi 5 km larg”, tha Rama.

Ai kërkoi që të mobilizohet një armatë të tërë humanistësh, pasi bashkë me dhënien e dijes duhet të shtohet përkujdesja për shëndetin e çdo fëmije, që rrezikohet nga kontakti i fëmijës me fëmijën.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar dhe zyrat arsimore në gjithë kornizën e madhe të institucioneve të shërbimeve shtetërore janë pa diskutim ndër më të mirat me heqjen qafe të kthetrave të influencës partiake, farefisnore, korruptive, në përcaktimin e mësuesve dhe përzgjedhjen e tyre dhe me lehtësimin e madh që i është bërë këtij sistemi nga barra e tmerrshme e padrejtësisë. Në këtë proces është konkretizuar dhe portali “Mësues për Shqipërinë””, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi edhe specifikat e mësuesve në zonat e prekura nga tërmeti, ku ka një valë intensive rindërtimi.

“Numrat vetëvetiu do rriten, këtë e di nga gjithë praktika ndërkombëtare dhe analiza e arsyeshme e faktorëve që nxisin rritjen e numrave. Është një hapje e e madhe brenda gjithë hapësirës të hapur plotësisht të Shqipërisë që do të shtojë numrat, por ka rritje e rritje. Ka rritje që vjen si rezultat i mungesës së bërjes së hyzmetit kësaj pune, një rritje katastrofike me pasoja të rënda dhe ka dhe një rritje objektive që vjen si rezultat me një përballje të përditshme me këtë armik të padukshëm. Ne duam këtë të dytën. Nuk e shmangim dot, nuk e rrethojmë dot territorin e shkollës me mure të atilla që të mos lejojnë hyrjen e virusit në atë zonë, por ama nga mënyra se si ne do bëjmë punën do të varet shumë pjesa tjetër, rezultati. Dhe rezultati në këtë rast nuk është një notë as një tërësi notash në shkollë, por është shëndeti i fëmijëve”, tha Rama.

Ata

Aktualitet

Archives