Masa administrative dhe hetim penal për çdo person apo subjekt që dëmton apo ndot mjedisin

Me kalimin e përgjegjësive për inspektimin e mjedisit tek Ministria e Brendshme, ministri Sandër Lleshaj njoftoi nisjen e një operacioni të gjerë në shkallë vendi nga strukturat e Policisë dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Gjatë një inspektimi sot në zonën e Lagunës së Kune Vainit dhe Tales, ministri Lleshaj tha se ndëshkimi për çdo person apo subjekt që dëmton apo ndot mjedisin do të jetë në dy plane, me masa administrative dhe hetime penale.

“Me kalimin e përgjegjësive për inspektimin e mjedisit tek Ministria e Brendshme, është hapur një fushë e re veprimtarie dhe një përgjegjësi e re për strukturat e saj. Në ditët në vijim strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të IKMT-së do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi në mbrojtje të mjedisit”, deklaroi minsitri gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e Lezhës.

Vëmendja, tha ai, do të përqëndrohet tek të gjithë vijat ujore, tek lumenjtë e vendit, të cilët duhet të çlirohen nga derdhja e ujërave të zeza dhe inerteve, të cilat janë shndërruar në një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin.

Sipas Lleshaj, në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe IKMT-së do të zhvillohen inspektime dhe operacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim, i cili ka ndodhur dhe vijon për fat të keq të ndodh në ndotjen e lumenjve.

Po ashtu, vuri në dukje ai, me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve, e minierave, si edhe e pyjeve me qëllim që veprimtaria kriminale dëmtuese ndaj tyre të marrë një goditje të rëndë.

“Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje ujrash të zeza, në lumenj do të veprohen në dy plane. Së pari, IKMT-ja do të marrë masat administrative përkatëse, pra gjobat përkatëse. Paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit që parashikohen nga Kodi Penal”, u shpreh ministri.

Sipas ti, ne do të luftojmë fort me të dy instrumentat që kemi në dorë, qoftë instrumentin administrativ, qoftë instrumentin penal, për të frenuar, për të bllokuar këtë dëmtim që i është bërë dhe vijon t’i bëhet mjedisit tonë dhe kryesisht ujërave të vendit tonë.

“Përmes kësaj, ne do të sigurojmë kushte që lumenjtë të sjellin ujë të pastër në det, që turistët të kenë mundësi, të shijojnë pastërtinë e ujërave, pastërtinë e rërës dhe një mjedis, i cili vërtet lejon turizëm të mirëfilltë”, tha ai.

ATA

Aktualitet

Archives