Manastirliu: 20 të shtruar me koronavirus në spitalin e Durrësit dhe të Shkodrës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se në spitalet COVID ka ende ka kapacitete shtretërish të lirë.

Manastriliu theksoi se në spitalet Rajonale në Durrës dhe në Shkodër, aktualisht janë 20 të shtruar.

“Nuk janë ezauruar shtretërit në të 4 spitalet COVID në Tiranë, përkundrazi gjithmonë ka vende të lira prandaj hapen spitalet rajonale në mënyrë që të krijojnë disponibilitetin e nevojshëm për shtretër për rastet që sipas protokollit që ne kemi përcaktuar për spitalet rajonale dhe algoritmit për raste të cilat duhet të vijnë në Tiranë, që janë raste të rëndë, që duhen trajtuar me ekspertizën që tashmë e kanë fituar 4 spitalet COVID në Tiranë, të kenë mundësi të trajtohen”, tha ministrja.

Ajo tha se mjekët e spitaleve rajonale i disponojnë këto protokolle dhe në bazë të rëndësisë së rastit, dërgohen nga Urgjenca Kombëtare në strukturat tona spitalore COVID.

“Spitalet COVID kanë disponibilitet, ka 550 shtretër dhe kemi vendosur dhe shtretër ekstra, duke e çuar numrin në 600 shtretër sot. Ndërkohë në dy spitalet rajonale, Durrës dhe Shkodër janë përkatësisht 60 dhe 80 shtretër”, deklaroi Manastirliu.

Ajo shtoi se “në të gjitha spitalet rajonale janë duke u ofruar shërbim për rastet post-COVID dhe për rastet që janë të dyshuara dhe që më pas vlerësohet nëse duhet të shkojnë në spitalet COVID apo duhet të qëndrojnë në spitalet rajonale”.

Aktualitet

Archives