Mali i Zi ndalon pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura

Në Mal të Zi prej sot është ndaluar pirja e duhanit në hapësirë të mbyllur, në bazë të Ligjit për kufizimin e përdorimit të prodhimeve të duhanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligjin i cili sot hyri në fuqi, e me të cilin ndalohet përdorimi i prodhimeve të duhanit në hapësirat e mbyllura publike, përveç nëpër kazino, deputetët e miratuan nga fundi i muajit korrik.

Me ligjin e ri nuk lejohet pirja e duhanit në çfarëdo hapësire ose pjesë ku konsumohet ushqimi dhe pijet.

Ekziston mundësia për përcaktimin e një pjese të veçantë të hapësirës tek pronari, gjegjësisht përdoruesi do ta caktojë vetëm për këtë qëllim.

Për shkeljen e dispozitave ligjore janë paraparë gjoba deri në 20 mijë euro.

Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi, Kenan Hrapoviç, gjatë sqarimit të propozim-ligjit të ri në korrik në Kuvendin e Malit të Zi njoftoi se nga kanceri në mushkëritë sëmuren rreth 400 persona në vit, ndërsa kurimi i një pacienti, sipas të dhënave të vitit 2015, kushton rreth 70 mijë euro.

Sipas të dhënave të vitit 2017, në Mal të Zi 35,4 për qind e grupmoshës së të rriturve konsumojnë prodhime të duhanit, që e klasifikon Malin e Zi në mesin e vendeve kryesuese në botë kur është në pyetje pirja e duhanit për kokë banori.

Aktualitet

Archives