Lideri i PD, Sali Berisha: Ftoj të gjithë delegatët të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve që të bashkohen në Kuvendin e ditës së nesërme.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se ky është kuvendi i bashkimit, ndërsa ftoi “të gjithë delegatët dhe delegatet të Kuvendit të rithemelimit të PD që keni firmosur ose nuk keni firmosur formularin, të jeni nesër të pranishëm”.

“Të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e PD-së. Rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demokratëve shqiptarë; në një forcë politike të vlerave tradicionale të shoqërisë sonë, në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësor të shqiptarëve. Si dikur përmbysëse e sistemit komunist, sot në përmbysje të narko-shtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD brenda kësaj partie. Rikthimin e votës së lirë për Shqipërinë, shqiptarët në tërësi. Të dashur delegatë dhe delegate! Moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha për mos të ndjerë të ftohtin. Natyrisht shiu nuk bie në zonën ku jemi ne si delegatë, por klima është kjo që ju e shihni vetë”, tha Berisha.

Ish-kreu i PD-së u shpreh se “unë ftoj të themi dhe kryetarin në letër të saj, Lulzim Basha, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne, të vijnë nesër në Kuvendin e rithemelimit. Ky Kuvend është për të gjithë demokratët. Mungesa nuk i përjashton ata nga kontributet në Partinë Demokratike në të ardhmen. Ftoj të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të cilët kanë mbështetur lëvizjen ose jo, të vijnë nesër në “Air Albania” për të ndjekur këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit dhe rithemelimin e Partisë Demokratike”.

“Porosia ime e fundit për delegatët e PD-së është që të marrin me vete dokumentin e anëtarësisë dhe kartën e identitetit, ndërsa për simpatizantët që nuk janë delegatë dokumente të tilla nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme”, shtoi ai.

Aktualitet

Archives