Kuvendi i PD-së shkarkon kryesinë si dhe voton fshehtas për shkarkimin e Bashës

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nisi sot punimet në stadiumin “Air Albania”.

Kuvendi u çel nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka.

Paloka tha se ata të cilët marrin pjesë në Kuvendin e PD janë demokratët e rrebeshit, kurse të tjerët sipas tij shkojnë “te shampanja”.

“Ne jemi demokratët e rrebeshit, të tjerët le të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do hyjë në historinë e Partisë Demokratike. Pas 31 vitesh ne mblidhemi dhe njëherë në përvjetorin e themelimit të PD për ta rithemeluar atë mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritëm në Dhjetor ’90 por dhe për ta vendosur në shinat e konservatorizmit”, deklaroi Paloka.

Paloka tha se kriza që ekziston brenda PD-së është për shkak të dështimeve të përsëritura në zgjedhje.

Paloka po ashtu propozoi anëtarët e komisionit që do të drejtojnë punimet e Kuvendit që janë Albana Vokshi, Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Edmond Spaho, Belind Këlliçi. Ndërsa sekretariati do të përbëhet nga: Minushe Lazaj, Nade Daullja, Ledio Nuraj.

Belind Këlliçi, kryetari i komisionit të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike tha se janë të pranishëm 4934 delegatë në këtë forum.

Po kështu, sipas tij, të pranishëm janë edhe 4200 firmëtarët që dorëzuan formularët për mbledhjen e Kuvendit.

Bazuar në këto të dhëna, Belind Këlliçi deklaroi se Kuvendi i PD është i ligjshëm dhe ka kuorumin e duhur.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi paraqiti edhe propozimet për ndryshime në statutin e Partisë Demokratike, të cilat u hodhën në votim.

Deputeti Bylykbashi tha se do ndryshojë edhe logo dhe vula e PD, ndërsa kryetari shkarkohet në momentin që humbet zgjedhjet.

Bylykbashi nënvizoi se do të propozohet dhe votohet gjithashtu edhe ngritja e një komisioni të përkohshëm që sipas tij “do garantojë në fazën e shkurtër tranzitore, funksionimin e PD”.

Katër vite pas zgjedhjeve në strukturë PD do futet në një fazë reformimi të strukturave nga poshtë lart përmes zgjedhjeve me një anëtar një votë. Do bëhemi gati për opozitë të vërtetë jo fasadë dhe për zgjedhjet e ardhshme”, tha Bylykbashi.

Ai tha se “ndryshimet në statut në 2018 e 2021, në vend të çlironin energji, centralizuan pushtetin në duart e kryetarit, duke ia marrë pushtetin organeve kolegjiale. Organet u kthyen në vula noterie, shtabe ushtarake”.

“Sot propozojmë ndryshime që kanë për qëllim të fuqizojmë anëtarët e PD, dhe organet e zgjedhura prej tyre në qendër e në bazë. Sot synojmë të projektojmë një PD, ku energjitë e anëtarëve rriten nga gara e nuk shtypen nga urdhri i eprorëve”, shtoi Bylykbashi.

Më pas, Kuvendi Kombëtar i PD-së i thirrur nga Berisha, ngriti Komisionin e Rithemelimit të PD-së, ku kreu i Komisionit të Kuvendit Kombëtar, Këlliçi lexoi emrat me 29 anëtarë të këtij komisioni.

Gjithashtu Këlliçi ka lexuar propozimin për shkarkimin e kreut të PD-së Lulzim Basha.

Vendimi i Kuvendit do të shkojë për referendum te anëtarësia që do të mbahet me 18 dhjetor 2021.

“Kuvendi Kombëtar i PD vendosi të votojë me votim të fshehtë të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha, për thyerje të rënda të statutit PD, për dëmtim të rëndë të interesave politike të saj. Vendimmarrja të ratifikohet me një referendum që do të mbahet më datën 18 Dhjetor 2021 në të gjitha degët e PD”, tha Këlliçi.

Më 22 mars 2022, Kuvendi do të mblidhet sërish për të zgjedhur strukturat e reja te PD-së.

Pas miratimit të ndryshimeve në statut, Kuvendi i inicuar nga ish-kreu i PD-së, Berisha, vendosi për anulim të Kuvendit të 18 dhjetorit.

“Pavlefshmëri absolute të mbledhjes së Kryesisë së PD për shkak të mbledhjes së saj të personave të paautorizuar. Anulimin e thirrjes publike dhe të njoftimit të degëve të partisë Demokratike për mbajtjen e Kuvendin e 18 dhjetorit”, tha Këlliçi.

Ndërkohë Azem Hajdari u shpall nga Kuvendi si kryetar nderi i PD-së.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri, Sali Berisha deklaroi se kreu i PD-së Lulzim Basha ka tradhtuar votën e demokratëve .

Ai theksoi se “në 8 vite ne përfunduam si një forcë politike që nuk shihte asnjë fitore, partia demokratike i shëmbëllente tashmë një druri të thatë që nuk gjelbëron as në verë e asnjëherë. PD pas zgjedhjeve të 2021, që i shpalli masakër elektorale, ato të tilla ishin, por mbeti jetime, vota e shqiptarëve ,mbeti jetime”.

Berisha tha se Basha  u kujdes para së gjithash për karrigen e tijdhe vendosi ta shndërronte PD  në një fasadë opozitë, një shtojcë të narkoshtetit.

“Ai dorëzoi sovranitetin për të shpëtuar kokën e tij. Ai nuk kishte karakter të jepte dorëheqjen. Pas kësaj ai shkelmoi në vazhdim statutin, instaloi forume antidemokratike, përjashtoi drejtues nga forumet. Sulmoi partnerët FRPD-në dhe LDG. Në 8 vite Basha partinë e vlerave konservatore, e spostoi majta dhe vetëm majtas. Ai ngushtoi hapësirat për të përndjekurit politik, për ish-pronarët”, u shpreh ai.

Më tej, Berisha tha se “kundër nesh narkoshteti me milionat dhe falangat e tij, kundër nesh pengkryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA. Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA të sillet si guvernatore njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por mjerisht burokratët dhe njerëzit e harrojnë këtë. Presidenti i SHBA me dekretin e tij dekreton në këtë vend një ambasadore përfaqësuese të vlerave të kombit të tij të madh, të interesave, të lirisë dhe sigurisë së këtij kombi”.

Berisha i bëri thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të shqyrtojnë përsëri vendimin e tyre “non grata” ndaj tij.

“Ftoj zyrtarët r Departamentit Amerikan të Shtetit të rishqyrtojnë vendimin e tyre sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Unë do vazhdoj i palëkundur misionin tim së bashku me ju për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri, do vazhdoj misionin me ju për të rikthyer në pushtet Partinë Demokratike si parti e vlerave të lirisë, si parti që në epiqendër ka qytetarin dhe interesat e tij, si parti që do integrojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, tha Berisha…

ata

Aktualitet

Archives