Leskaj, i kërkon KiE-s implementimin e Rezolutës për Kosovën

Nisi dje në Strasburg seanca e radhës e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në takimin e Byrosë së Asamblesë, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, njëkohësisht dhe zëvendëspresidente e AP të KiE-së kërkoi që të merrej në shqyrtim çështja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Konkretisht, mësohet se Leskaj kërkoi implementimin e paragrafit 13 të Rezolutës të AP të KiE nr. 2094, të janarit 2016, ku parashikohet që niveli dhe formati i bashkëpunimit politik të deritanishëm i AP të KiE-së me forcat politike të Kuvendit të Kosovës të ndryshojë duke kaluar në formatin e dialogut politik direkt me Kuvendin e Kosovës për të siguruar një nivel më të plotë përfaqësimi në AP të Këshillit të Europës. Leskaj argumentoi edhe një herë arsyet përse anëtarësimi i Kosovës është në interesin e të gjithëve: të Kosovës, të Këshillit të Europës dhe të stabilitetit dhe gjithë rajonit të Ballkanit. Leskaj u ndal sidomos në nevojën për marrëdhënie më të qëndrueshme mbështetëse, ndihmëse dhe bashkëpunuese të KiE me një Kosovë anëtare me të drejta të plota dhe në përfitimin e përbashkët në fushën e konsolidimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe monitorimit të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare atje. Propozimi dhe kërkesa e deputetes socialiste u miratua, dhe në fund, Byroja ra dakord që memorandumi për implementimin e paragrafit 13 të Rezolutës të miratohet në sesionin e ardhshëm që do mbahet në shtator.

Aktualitet

Archives